Marrëveshja për emigrantët, Rama: Kemi nderin që të jemi të dobishëm për Italinë

Nga A2 CNN
5 Qershor 2024, 13:35 | Politikë

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen italiane Giorgia Meloni nga Shëngjini, iu drejtua edhe opozitës në Itali, duke theksuar se Shqipëria ka pasur marrëdhënie të mira me qeverinë italiane, pavarësisht se kush ka qenë në krye të Italisë.

“Kemi nderin që të jemi të dobishëm për Italinë dhe këtë e shohim si bekim. Për ne, në Shqipëri, nuk ka ndryshim ngjyra e udhëheqjes në Itali, pasi me të gjithë kemi pasur marrëdhënie vëllazërore dhe të gjithë na kanë ndihmuar. Kjo duhet kuptuar edhe nga e majta italiane, që tesera politike nuk ka lidhje fare”, deklaroi Rama.

“Qeveria italiane për ne ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë qeveria e një vendi me të cilin na lidh një aleancë shumë e veçantë. Nëse gabon qeveria italiane, ne do të jemi pjesë e atij gabimi, por mos ta kthejmë këtë një çështje politike”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi më tej: “Qeveria jonë nuk ka njohur paqe në luftën ndaj krimit dhe nuk ka kthyer kurrë kurrizin ndaj Italisë dhe vendeve mike. Këtu pranë jeton një komunitet afgan, njerëz që janë larguar nga vdekja pas rënies së Kabulit, njerëz që nuk janë pranuar nga asnjë vend anëtar i NATO-s. Një pjesë e tyre shkuan në SHBA dhe Kanada. Të tjerë vijojnë të jetojnë këtu. Disa gazetarë investigativë vijnë këtu dhe nuk shikojnë afganët, nuk shohin qindra emigrantë që kanë ikur nga vdekja, por shohin mafien që ekziston në mendjet e tyre kur paguajnë biletat për të ardhur në Shqipëri, për të informuar publikun me shkrime që janë parapërgatitur. Unë jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos