"Emigrantët", Rama PD-së italiane: Më e pakta që mund të bëjmë, Europa s’po jep zgjidhje

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 15:33 | Politikë

"Emigrantët", Rama PD-së italiane: Më e pakta që

Kryeministri Edi Rama, nuk e ka kursyer ironinë për Partinë Demokratike shqiptare, teksa i kthente përgjigje PD-së së majtë italiane për marrëveshjen e firmosur me Giorgia Melonin për emigrantët e paligjshëm.

Kreu i qeverisë shprehet se ndihma ndaj Italisë për situatën e emigrantëve të paligjshëm, në një kohë kur as Europa nuk po gjen një zgjidhje për situatën, është më pakta që Shqipëria mund të bëjë për vendin fqinj.

Reagimi i Ramës vjen pasi në disa media italiane u raportua se PD e Italisë do kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Europiane.

Sipas asaj që shkruan Rama, Partia Demokratike italiane e ka mohuar që të ketë kërkuar përjashtimin e tij, megjithatë ai shton se marrëveshja për emigrantët e paligjshëm, mund të mos jetë më e mira, por si qëllim kryesor ka që t’i vijë në ndihmë Italisë.

“Është përhapur në gazeta lajmi se miqtë e PD-së italiane do të donin të më përjashtonin nga Partia e Eurosocialistëve dhe më pas ata vetë e mohuan me njëfarë vonese, por duke nënvizuar se marrëveshja që bëri Shqipëria me qeverinë italiane është e gabuar në të gjitha pikat, pikërisht të njëjtën gjë thonë shumë të PD-të e së djathtës shqiptare që po luftojnë për të drejtën e të njëjtit emër pas ndarjeve të mëvonshme.

Sigurisht që do të më mungojë aftësia për të parë këndvështrimet e shumta të të gjitha këtyre PD-ve, por në respekt të plotë të PD-së italiane do të doja të përsërisja këndvështrimin tim të vetëm: Përpjekja për të ndihmuar Italinë në këtë situatë, kur askush në Evropë nuk duket se ka një zgjidhje që mund të ndahet nga të gjithë, ndoshta nuk është më e mira, por sigurisht është minimumi që Shqipëria duhet dhe mund të bëjë! Nëse kjo nuk është për të majtën në Itali...duket se nuk është as për të djathtën në Shqipëri. Ndoshta është gjëja e drejtë për t’u bërë.

(Më vjen keq që nuk mund të takohem me miqtë e mi italianë në Samitin e PSE në Malaga, sepse jam në Forumin e Paqes në Paris, por shpresoj që diskutimi mbi çështjen gjithnjë e më të mprehtë të emigracionit do të nxjerrë në pah përgjigjen e mirë, konkrete dhe e përbashkët që Evropa e pret prej shumë vitesh tani.)

A2 CNN Livestream

Latest Videos