Gazetari Flogert Muça, në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se veprimet e Partisë Demokratike e bëjnë të mendojë se mes Edi Ramës dhe Sali Berishës ka një marrëveshje.
“Partia Demokratike ka moskoherencë. Ishin në revolucion, ra revolucioni; nuk hynin në zgjedhje pa qeveri teknike, por hynë në zgjedhje me Ramën dhe humbën; do bëhej nami në korrik dhe iku korriku pa protesta… Kjo mua më duket sikur Rama dhe “Doktori” kanë një marrëveshje me njëri-tjetrin”, tha gazetari.
“Marrëveshje më parë mes tyre kanë ndodhur. Është amnistia penale dhe Reforma Zgjedhore. E bënë bashkë si deshën reformën”, shtoi Flogert Muça.
Anëtarja e e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u përgjigj: “As nuk e mendoj dhe as nuk e besoj se ka një marrëveshje. Patjetër që PD-ja ka problemet e saj dhe duhet që të reflektojë. Duhet të ketë një riformatim dhe riorganizim, të zgjedhë njerëzit më me energji”.
“Unë e dua Shqipërinë para partisë, nuk jam militante. Si opozitë, duhet të jemi gati për zgjedhje lokale të pjesshme e më pas të përgjithshmet. Unë besoj në një parti vërtet të rithemeluar, me njerëz me integritet, me energji të reja dhe ide të reja. Duhet të ishte një grup tjetër parlamentar, jo ai i 2017 dhe 2021. Duhej grup parlamentar më i freskët. Qasja ime që PD duhet të jetë gati për përballje me Edi Ramën, me njerëz të rinj që duhet të jenë alternativë qeverisëse, të jemi frymëzues për shqiptarët, pavarësisht farsave elektorale”, theksoi Kuçana.
(A2 Televizion)