
Në përfundim të një seance gjyqësore që zgjati gati 4 orë, Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i dalim i daljes jashtë shtetit” për zv.kryeministren Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Të pandryshuara mbetën edhe masat e sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuara në mungesë ndaj dy vartësve të saj, Gentian Gjyli, drejtues i ARRSH dhe Erald Elezi, administrator i KESH.
Tre zyrtarët akuzohen për “shkelje të barazisë në tenderë” në procedurat prokuruese të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe në ndërtimin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në kryeqytet.
Seanca gjyqësore e verifikimit të masës së sigurisë nisi në orën 09:00 të së shtunës dhe 40 minuta më vonë, u ndërpre me kërkesë të avokatëve, për t’i dhënë 120 minuta kohë për studimin e akteve të SPAK.
Në rinisje të seancës, prokurori Dritan Prençi kërkoi vijimin e masave, me pretendimin se, për shkak të funksioneve publike që mbajnë tre të pandehurit ekziston mundësia që të kryejnë krime të të njëjtit lloj për të cilat po hetohen dhe se ekziston rreziku i largimit të tyre e fshehjes nga drejtësia.
Po sipas përfaqësuesit të SPAK, ekziston rreziku që të pandehurit të ndërhyjnë në dëmtimin e provave, ose të krijojnë kushte për vështirësimin e mbledhjes së tyre.
Burime pranë seancës, bënë me dije se pretendimet u kundërshtuan nga tre të pandehurit dhe avokatët e tyre, të cilët kërkuan shfuqizimin e masave, por pa mundur të bindin gjyqtarin Erion Çela.
Në hyrje-daljet e saj në gjykatë zv.kryeministrja zgjodhi të mos ndante asnjë koment për gazetarët. Burime pranë avokatëve të të pandehurve bënë me dije se masat do të kundërshtohen prej tyre në Apelin e Posaçëm. (A2 Televizion)
