“Më nxore mallin e të shkretit Lul, tutorit tënd të mëparshëm”, Rama ironizon Bardhin

Nga A2 CNN
12 Shtator 2024, 11:16 | Politikë

Në intepelancën për çështjen e anijeve me mbetje toksike të kërkuar nga Partia Demokratike, kryeministri Edi Rama u kujdes tí përgjigjej edhe akuzave të kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Me ironi shefi i qeverisë tha se fjalimi i Bardhit i nxori mallin e ish-kryetarit të tij në PD, Lulzim Basha, raporton A2.

“Mua më doli malli i të shkretit Lul. Tutorit të mëparshëm të këtij figurës që foli dhe besoj që të gjithë ata që e ndoqën e panë se ku është dallimi i madhe mes nesh që flasim me fakte dhe këtyre që s’dinë ça flasin”, tha Rama, përcjell A2.

Duke i sqaruar edhe njëherë se mallrat e transportuara me kontejnerë drejt Tajlandës dhe Kinës, të nisura nga porti i Durrësit, nuk janë të rrezikshme, Rama e ironizoi Bardhin edhe për vendimin e tij për t’iu bashkuar Rithemelimit.

“Thashë në fillim, përgjatë dhe në fund se këto mallra me këto emra nuk kategorizohen te mbetjet e rrezikshme. E dëgjuat reagimin e reaguesit, të gjetur në konfuzionin e ekspertizës së tij, sepse unë ekspert nuk jam dhe për këtë mësoj duke ulur kokën të lexoj. Kurse zotëria e pret ekspertizën me gojën hapur dhe kokën lartë, i futet ekspertiza në gojë nga lart, e rrotullon nëpër gojë ekspertizën gjërë e gjatë dhe vjen ta pështyjë këtu. Se flet zotëria se kush jam unë dhe kush është zotëria për fjalët që kemi thënë. Por nëse unë nuk gaboj është zotëria që tha: ‘Po erdhi Saliu me Flamurin në godinë unë do iki nga politika’”, tha Rama.

Mungesa e konsistencës së fjalëve të Bardhit dhe zgjedhja për të mbetur në PD e drejtuar nga Sali Berisha e për t’iu bashkuar protestave për lirimin e tij te rruga “Mustafa Matohiti”, sipas shefit të qeverisë është një problem i madh.

Nuk iku nga politika, iku nga godina bashkë me Flamurin për të mbajtur kokën lartë dhe për të parë Saliun. Është problem i madh, shumë problem i madh. Dhe problemin më të madh këtu e ka ai që është atje në katin e 8, që nuk ngeli balerin pa i shkuar te parvazi duke i thënë ma lër mua ta tund belin për ty.

Historia e “mbetjeve të rrezikshme”

Nga të dhënat e Institutit të Statistikave del që në gjysmën e parë të vitit, nga Porti i Durrësit janë nisur gati 14 mijë tonë mbetje për në shtete të tjera. Ecuria e ngjashme rezulton edhe për janar-qershorin e një viti më parë.

Transferimi i mbetjeve të tilla nga një vend në tjetrin është një proces i rregulluar mirë dhe fortë me anë të ligjit ndërkombëtar, që është Konventa e Bazeli në këtë rast. Por një alarm i ngritur nga “Basel Action Netëork”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara më 5 gusht se një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” ishte zhdukur që në fund të korrikut nga radarët afër Cape Toën në Afrikën e Jugut, prodhoi atë që po konsiderohet si “skandali me mbetjet e rrezikshme.”

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Netëork”, ngriti shqetësimin se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike me destinacion Tajlandën.

Shqipëria eksporton dhe shërben si vend transit për mbetjet e rrezikshme që prej vitit 1998, ndërsa përgjegjësia për kontrollin e tyre është e një kompanie koncesionare dhe jo e Portit të Durrësit. Terminali lindor në portin e Durrësit menaxhohet përmes një koncesioni të vitit 2013 nga kompania gjermane EMS Shipping and Trading Gmbh, por menaxhimi i terminalit nga kjo kompani është vënë në pikëpyetje.

Përtej vetë-deklarimit, për të eksportuar mbetjet elektrike nga Shqipëria, nevojitet një leje paraprake nga Tajlanda si vend destinacion, si dhe vendet transit për të eksportuar mbetje të rrezikshme. Kjo leje duhet të përfshijë informacione mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacionin dhe metodën e trajtimit ose asgjësimit të tyre.

Eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të bëhet vetëm nëse mbetjet do të menaxhohen në mënyrë të sigurt në vendin e destinacionit, sipas standardeve mjedisore dhe shëndetësore të përshtatshme.

Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga Kurum dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023, raporton A2.

Në një deklaratë në 14 gusht, Maersk njoftoi se po punonte për t’i kthyer kontejnerët e dyshuar në anijet Maersk Compton dhe Maersk Candor në Shqipëri. Këto ndërkohë janë pamjet satelitore që konfirmojnë se mbetjet e nisura nga Durrësi po kthehen pas.

Në mesin e shtatorit anija që po bën transportin e tyre pritet të mbërrijë në Portin e Lisbonës në Portugali, ndërsa deri në fund të muajit ato pritet të mbërrijnë në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos