Policia në kryeqytet ka zbuluar një klinikë dentare që operonte në zonën e Don Boskos, ku kryhej evazion fiskal dhe qytetarëve u shërbehej me produkte të skaduara.
Bëhet me dije se janë sekuestruar 300 shishe me produkte të skaduara, pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara.
Po ashtu është vënë në pranga administratori i klinikës, shtetasi turk Adnan Yizdizoglu dhe janë vënë nën hetim koordinatorja e subjektit dhe 2 laborantë.
“U finalizua operacioni “Dentistry”. Gjatë ndërhyrjes në ambientet e klinikës, u kap dhe u arrestua administratori i subjektit, shtetasi turk, A. Y., 59 vjeç. Gjithashtu, u kapën në flagrancë, 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë. Nga kontrolli në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është caktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt”, njofton policia. (A2 Televizion)