E enjtja e seancës plenare do të jetë dhe akti i fundit i miratimit të komisionit të posaçëm antikorrupsion, me votimin e përbërjes së anëtarëve, ku demokratët nuk pranojnë të marrin pjesë. Ndonëse në p/vendim figurojnë edhe emrat e deputetëve të opozitës, grupi parlamentar i PD nuk ndryshon qasje duke refuzuar të bëhet pjesë e komisionit.
“Ne nuk bëhemi pjesë e një procesi farsë, që nuk synon të luftojë korrupsionin, as të garantojë mirëqeverisjen. I gjithë procesi është i njëanshëm. PS cakton se kush janë përfaqësuesit e opozitës, kur vetëm këta përfaqësues thonë se nuk do marrin pjesë në këtë komision”.
Sipas Gazment Bardhit, vullneti i maxhorancës për të luftuar korrupsionin mund të shihet edhe tek miratimi i kërkesës së tyre për mocion me debat për lidhjet e krimit me politikën, që do të jetë dhe kali i betejës së opozitarëve këtë të enjte në Kuvend. Për këtë çështje kreu i grupit demokrat kishte një thirrje për Lindita Nikollën.
“Nëse çmon apo vlerëson se do ia hedh sa herë ka qenë Rama në vështirësi, duke injoruar e grupit parlamentar të PD, po e paralajmëron publikisht se kjo do të ishte e papranueshme për grupin tonë parlamentar”.
Të enjten opozita do të jetë në një aksion të dyfishte, pasi përveç debatit parlamentar ka thirrur edhe një protestë para Parlamentit.
“Apeloj çdo qytetar që të marrë pjesë në protestën e orës 10 përpara Parlamentit, duke shprehur vendosmërinë që në nuk pajtohemi kurrë, të miratojë ligje, të japë favore, të fuqizojë grupet kriminale në vend”.
Bardhi komentoi edhe seancën maratonë në komisionin hetimor për të dhënat e TIMS, zhvilluar me dyer të mbyllura, duke deklaruar se dëshmitë e tre titullarëve kanë qenë tronditëse dhe se është vërtetuar disa raste të fshirjes së të dhënave nga sistemi. (A2 Televizion)