“Korrupsioni gangrenë për ekonominë”, Basha tryezë me ekspertë: Programi i PD nxit mirëqenien!

Nga A2 CNN
5 Qershor 2024, 18:35 | Politikë

Për Lulzim Bashën është korrupsioni galopant, gangrena që ka mbërthyer dhe po shkatërron ekonominë shqiptare. Në të parën tryezë kombëtare për ekonominë organizuar nga PD zyrtare që pas prezantimit të programit për zgjedhjet e vitit 2025, Basha tha se është koha që oferta e tyre është e rëndësishme për të nxitur mirëqenien e qytetarëve.

Sipas Bashës kjo tryezë bën bashkë njerëz të kontributeve të veçanta publike, akademike dhe figura me një reputacion të padiskutueshëm sa i takon ekonomisë dhe çështjeve ekonomike, të cilët do të diskutojnë e debatojnë mbi ofertën e Partisë Demokratike për shqiptarët.

Synimi është një dhe vetëm një: asnjë pjesë e programit dhe ofertës tonë të mos mbetet në hije, asgjë të mos i mbetet rastësisë. Një kulturë e re politike kërkon që oferta e çdo formacioni politik të jetë transparente. Oferta e çdo partie politike që mëton të qeverisë nesër vendin siç është Partia Demokratike e Shqipërisë, të mos jetë një pusi për elektoratin, për votuesin por të kenë shansin të njihen me të, ta debatojnë atë, ku është e mundur dhe  e nevojshme pse jo ta përmirësojnë atë. Zonja dhe zotërinj, ekonomia shqiptare vuan në një lëngatë të shumëfishtë. Vuan nga njëra anë për shkak të korrupsionit galopant, një sëmundje shoqëruese e tranzicionit shqiptar, por që nuk ka pasur kurrë nivele të tilla si në këtë dekadë dhe në këtë mënyrë është kthyer jo thjesht një pengesë, por një gangrenë për rritjen ekonomike, është kthyer në kontribuesin kryesor për mosmirëqenien e shqiptarëve, për varfërinë e tyre, për ankthin që ka kapluar si faktorët ekonomik ashtu edhe tregun e punës, që i është përcjell familjes shqiptare, i është përcjellë në veçanti rinisë shqiptare me pasojat të rënda, mpakjen e vendit, shpopullimin e vendit.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos