Në SPAK për Irena Gjokën, Berisha komenton lëvizjen në SHISH: Hasani është Vlora bis

Nga Anesti Barjamemaj
12 Nëntor 2026, 15:19 | Politikë

Në kohën kur Presidenti Bajram Begaj firmosi dekretin për emërimin e kreut të ri të SHISH, Sali Berisha ishte duke shkuar në SPAK. Pas daljes nga godina e qelqtë, lideri i opozitës komentoi lëvizjet në shërbimin e inteligjencës, duke pohuar se nuk ishte i surprizuar.

“Është thënë dje ose pardje që u emërua”.

Pavarësisht informacioneve të pakta që pohoi se ka për Esmeralda Hasanin, sërish pati një koment për të. 

“Një gjë është e sigurt që ajo, kur emërohet nga Edi Rama, është Vlora bis. Nuk mund të jetë ndryshe vetëm simotër e Vlorës. Një gjë është e sigurt. Po emërua nga Rama”.

Berisha kaloi pragun e SPAK pasi ishte thirrur nga hetuesit për t’u pyetur në cilësinë e kallëzuesit lidhur me padinë e tij për Irena Gjokën. Kreu i demokratëve tregoi rezerva për punën e SPAK pasi siç tha nuk kishin kryer hetimet e duhura dhe kishin krijuar vonesa, por tjetër qasje kishte për gjyqtaren e GJKKO.

“Një gjykatëse që i beson ligjit”.

Vonesave në hetimin e padisë së tij kundër Gjokës, Berisha tha se shumë shpejt do u përgjigjet me kallëzime për zyrtarë të tjerë të drejtësisë.

“Pas Irenës, çështje penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit ose Llagamit, kush ka qenë kryetar KLGJ-je. Shiko se çfarë bëjnë, bëjnë ping-pong njëri me tjetrin, por ku kërkohet dosja e KLGJ nga avokatët tanë, KLGJ thotë nuk e kemi, ILD thotë ia kam dërguar KLGJ-së. Natyrisht Dumani e ka të garantuar”.

Berisha u pyet edhe për Asamblenë e PS dhe tha se nuk e ka vendosur ende se nga do ta ndjek, nga zyra e punës apo në Lalëz.

“Po shkova do njoftoj”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos