“Mik i Tahirit dhe Shullazit”, Berisha: Çullhaj te sektori shkencor i Ministrisë së Brendshme

Nga Indrit Maraku
31 Korrik 2025, 14:56 | Politikë

Sali Berisha u shpreh i shqetësuar për drejtorin e ri të emëruar në krye të sektorit shkencor të Ministrisë së Brendshme. 

“Është emëruar Perlat Çullhaj. Ky trafikant i shkarkuar, i nxjerrë nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me drogën, trafiqet, për prishje të provave dhe një seri veprash të tjera penale”, tha Berisha, shkruan A2.

Kryedemokrati bëri një profil të drejtorit të ri, duke nënvizuar lidhjet dhe miqësitë e tij: “Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor me Saimir Tahirin. Është milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015. Është një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë. Ish-bashkëpunëtori i Emiljano Shullazit”.

Ajo që alarmon kryedemokratin është potenciali për të prishur provat e trajtuara nga sektori shkencor në Ministrinë e Brendshme: “Ky delinkuent merr detyrën e drejtorit të analizës shkencore, jashtëzakonisht e rëndësishme në Ministrinë e Rendit, detyrë që i lejon atij të prishë çdo provë, të sajojë çdo mashtrim”.

Berisha komentoi edhe deklaratën e kreut të SPAK se kryebashkiaku i Tiranës po hetohet për fakte të tjera penale: “Janë bërë dëshmi se paratë e inceneratorit të Tiranës janë investuar në kulla nga Edi Rama dhe Erion Veliaj[...] për të cilat Altin Troplini mban heshtje varri”.

Prentendimi, sipas tij, kërkon hetim të plotë, që kryetari i PD nuk ka besim se do të vijë nga SPAK, por garanton qytetarët se nuk do të lejojë që këto dëshmi të zhduken. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos