Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i është drejtuar Ilirjan Celibashit me kërkesën për të nisur një hetim administrativ të thelluar ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit të votave, pas konstatimit të mospërputhjeve gjatë procesit të rinumërimit të fletëve të votimit për qarqet Fier, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Gjatë seancave të rinumërimit, anëtari i KAS-it, Ledio Braho, kishte deklaruar publikisht se do të referonte rastet e dyshimta në prokurori, veçanërisht ato të qarkut Fier. Megjithatë, toni i ashpër i paralajmërimeve duket se është zbutur në përfundim të procesit, ku Braho i është bashkuar kolegëve të KAS-it në një shkresë unike, e cila në vetvete duket se ia kalon përgjegjësinë për hapat e mëtejshëm Komisionerit Celibashi.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi, në disa raste, mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve të votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces të mëtejshëm administrativ nga ana juaj, për të identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave…”, thotë KAS.
Këtë hetim të thelluar KAS-i e argumenton duke nënvizuar se duhen ndarë rastet e shkeljeve administrative nga ato që përbëjnë vepra penale dhe se këtë verifikim, sipas tij, mund ta bëjë vetëm Celibashi.
“Ky hetim administrativ ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrejnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve, nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim.”
Ky është akti i fundit i KAS-it për zgjedhjet e pjesshme parlamentare të 11 majit, pasi institucioni përfundoi shqyrtimin e të gjitha pretendimeve dhe mbylli zyrtarisht procesin ankimor. Tashmë, sytë janë drejtuar nga Komisioneri, nga i cili pritet të vendosë nëse do të ndërmarrë kallëzime penale ndaj numëruesve apo do ta trajtojë çështjen vetëm në kuadër të gabimeve njerëzore. (A2 Televizion)
Tjetërsimi i votave, paralajmëroi padi, tërhiqet KAS: Hetimin e numëruesve ta bëjë Celibashi
