“Miljet e fundit” drejt Brukselit, socialistët ulin kryenegociatoren Dhuka me këmbë në tokë

Nga Fjorela Beleshi
4 Qershor 2024, 15:20 | Politikë

Transparenca është kryefjalë e Bashkimit Europian në çdo proces të integrimit të Shqipërisë, por kryenegociatorja Majlinda Dhuka, njëherësh ministre shteti, nuk shkëlqen në këtë aspekt, jo vetëm në raport me median, por as me kolegët e saj të mazhorancës.

Një mbyllje që deputetët socialistë ja evidentuan në një prej takimeve të rralla që patën mundësinë të zhvillojnë me të, në Komisionin për Çështjet Evropiane.

“Ka gati një vit e gjysmë që ekziston postin i kryenegociatores dhe ministres së shtetit, dhe unë është hera e dytë që e shoh në raportim kryenegociatoren, ndërkohët pretendoj që duhet ta kisha parë për herë të pestë”, u shpreh deputeti i PS, Lavdrim Krashi.

Shqipëria ende nuk ka hapur kapitujt e parë të negociatave, por ministrja Dhuka deklaroi se vendi është në miljet e fundit para anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kolegët e saj të partisë u detyruan ta ulin me këmbë në tokë, duke e prezantuar me realitetin. Problemet me administratën publike, të evidentuara edhe në raportet e Brukselit, ishin një shembull.

“Nuk është nevoja të jesh deputet, ministër apo kryeministër për të kuptuar që administrate publike është në nivel për të ardhur keq,” u shpreh Krashi.

Dhuka u kundërpërgjigj: “Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju që administrate shqiptare është për të ardhur keq. Administrata ka profesionistë të shkëlqyer.”

Por kundër ministres doli dhe Mimi Kodheli: “Problem i administratës shqiptare është se është frut i shoqërisë shqiptare dhe i gjithë procesi se si administrate formësohet. Dhe jo domosdoshmwrisht kemi gjetur rrugën e duhur për ta bërë këtë gjë.”

Nga njëra anë Dhuka këmbgul se shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë janë të njëjtat nivele me ato që marrin qytetarët europianë, por nga ana tjetër kërkon ndihmën e Kuvendit për të reformuar administratën publike duke dalë në shteg të kërkesës së Edi Ramës për ngritjen e Komisionit Antikorrupsion.

Për ta bërë më konkret diskutimin kundër korrupsionit, deputeti i PDK, Kreshnik Çollaku solli në komision akuzat e Arben Ahmetajt ndaj Edi Ramës.

Majlinda Dhukës, i erdhën në ndihmë anëtarët e tjerë të mazhorancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos