Mazhoranca socialiste miratoi e vetme ngritjen e superkomisionit antikorrupsion, por pavarësisht vendimit të njëanshëm, shpresat për bashkëpunim me opozitën nuk janë shuar ende.
Socialistët sinjalet i dhanë gjatë mbledhjes së Këshillit për Integrimin Evropian, ku ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionit, raportoi për strategjinë antikorrupsion të qeverisë.
Deputetët Toni Gogu dhe Klotilda Bushka u kërkuan opozitarëve që kritikat t’i shpalosin në komisionin e posaçëm.
“Kemi ndërtuar një komision të posaçëm për mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, që ju(opozita) keni shumë për të ofruar në këtë betejë frontale”, tha Gogu.
“Nuk kemi thënë ndonjëherë që jemi imunë ndaj korrupsionit, është një luftë që nuk bëhet me shkopin magjik, por përfshirje të të gjithë aktorëve. Uroj të kemi opozitën së bashku me maxhorancën e me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për këtë luftë që është e përbashkët”, shtoi Bushka.
Pavarësisht ftesës nga radhët e shumicës, pakica parlamentare duket se nuk do të ndryshojë qëndrim dhe do ta bojkotojë superkomisionin.
“Vini në 2024 dhe të thoni po marrim masa parandaluese, është qesharake, ironike dhe tallëse. Nga ana tjetër qeveria ‘ka kryer punë’ me luftën ndaj korrupsionit, s’mund ta bëni ju korrupsionin dhe s’mund ta luftoni ju si qeveri korrupsionin”, u shpreh Çupi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që procesi të jetë gjithëpërfshirës. (A2 Televizion)