Hap dyert Pediatria e Specialiteteve, Rama: 1 miliardë euro është buxheti i këtij viti për shëndetësinë, më i larti ndonjëherë

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2025, 15:21 | Politikë

Hap dyert Pediatria e Specialiteteve, Rama: 1 miliardë euro është

Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve në QSUNT ka hapur dyert sot me ambiente të transformuara dhe kushte bashkëkohore.

Sipas përfaqësuesve të Qeverisë, aty do të ofrohen shërbime shëndetësore universitare sipas standardeve evropiane nga e gjithë Shqipëria, shkruan A2 CNN.

Transformimi i infrastrukturës së godinës pritet të mundësojë diagnostikim të avancuar, trajtim multidisiplinar dhe mbështetje për rastet më komplekse pediatrike.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit tha se “sot mund të flasim për ndërhyrje realisht të paimagjinueshme, deri disa vite më parë në Qendrën Spitalore, për operacione fëmijësh, për shembull, me probleme që, deri dje adresoheshin vetëm në spitalet jashtë vendit”.

Rama tha gjithashtu se ky është viti me buxhetin më të lartë të bujqësisë, 1 miliardë euro, që sipas tij, është një buxhet i paimagjinueshëm disa vite më parë.

“Më vjen shumë mirë, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive. Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë, të cilin do të bëjmë çmos ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet, jo vetëm këtu në Qendrën Spitalore, por edhe në të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor të Republikës”, tha Rama.

“Jemi thuajse në përfundim të punës për të futur dhe një shërbim tjetër, i cili është një shërbim i ri, falë një bashkëpunimi me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve, miq izraelitë që janë ofruar të sjellin këtu këtë shërbim që është shkolla pranë Pediatrisë dhe që do t’u japë mundësinë fëmijëve që qëndrojnë në Spitalin Pediatrik, që njëkohësisht të marrin dhe mësim dhe të mos mbeten mbrapa me shkollë, por natyrisht me një metodë dhe me një program që i përshtatet edhe gjendjes së tyre jo optimale shëndetësore”, tha më tej kryeministri.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos