Mori 27 vota në garën për kreun e PL, Basha: Meta ka bërë gabime, unë s'jam kundër nepotizmit në parti

Nga A2 CNN
28 Prill 2024, 13:54 | Politikë

Në Konventën e zhvilluar të shtunën, Ilir Meta u zgjodh president i Partisë së Lirisë me 690 vota. Përballë tij, konkurronte Faik Basha, i cili arriti të merrte vetëm 27 vota.

Basha doli me një program të tijin për Partinë e Lirisë, por nuk e pranon se futja e tij në garë mund të jetë bërë me qëllim, demokratizimin e procesit të zgjedhjeve në PL.

“Unë e bëra platformën për PL-në. Ne jëmi një grup që punojmë të gjithë së bashku. Kur disa ide të miat nuk shihen të arsyeshme për t’u bashkuar, unë krijoj idenë time, dhe kërkoj mbështetjen time dhe pse jo për të marrë drejtimin e një force që ka pasur si objekt rininë, integrimin, atdheun...,” u shpreh ai në Ditarin e Fundjavës nga Erion Dushi.

Teksa solli në vëmendje se ka qenë ish-ushtarak dhe është i interesuar për sigurinë kombëtare të vendit, Basha theksoi se politika sot po cedon dhe se Ilir Meta ka pjesën e tij të gabimeve.

“Një ish-ushtarak që kam bërë detyrë, jo pak të rëndësishme për sigurinë kombëtare. Politika po cedon. Edhe Ilir Meta ka gabimet e tij. Të jesh 30 vite në politikë, punon, kur punon edhe gabon. Ka bërë gabime, por edhe të mira...”

Sa i përket rezultatit të tij të dobët në zgjedhje, Faik Basha thotë se vendimin duhej ta kishte shpallur më herët.

“Vendimin duhej ta kisha marrë më parë, por hezitova. Pastaj njerëzit e mi më nxitëm që platformën time ta vendosja përballë Ilir Metën. Nuk kisha asnjë pengesë, ishte cështje kohe.”

Ai është edhe “pro” nepotizmit në partitë politikë, të cilit Ilir Meta së fundmi i ka shpallur luftë.

“Jam kundër vendosjes në statut për ndalimin e nepotizmit. Unë mendoj se nuk është i dëmshëm në parti politike. Nepotizimi është favor vendosjes së njerëzve të afërt nëpër institucione....një parti politike vepron në mënyrë demokratike nëpërmjet zgjedhjes...Një formë politike është edhe familja.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos