
Drejtuesi i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, u përfshi në një shkëmbim replikash me Avokatin e Popullit, Endrit Shabani, teksa ky i fundit po paraqiste raportin e institucionit.
Shabani tha se vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen nga institucionet, duke e cilësuar këtë nivel si të pamjaftueshëm, shkruan A2CNN.
Ndërkohë Xhafaj i kërkoi Shabanit të përdorte një gjuhë më institucionale, duke u shprehur se mënyra e komunikimit të tij i ngjante më shumë asaj të një kryetari partie sesa të drejtuesit të një institucioni të pavarur.
Debati:
Shabani: Vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen. Nëse ju jeni të kënaqur në lidhje me këtë performancë, unë nuk jam.
Xhafaj: Me çfarë jemi të kënaqur je dhe me çfarë jo… Duhet ta ndryshosh gjuhën, se po më flet këtu sikur je kryetar i partisë, jo Avokat i Popullit.
Shabani: Unë kam ardhur të përfaqësoj institucionin tim, ky koment nuk ju nderon. Nuk jam politikan.
Xhafaj: Ke qenë.
Shabani: Nuk kemi ardhur këtu të tregojmë çfarë kam bërë unë dhe ju në të shkuarën. (A2 Televizion)