Konsullatë serbe ne Shkodër? Reagon ministri i Jashtëm Hoxha

Nga A2 CNN
30 Korrik 2026, 15:12 | Politikë

Konsullatë serbe ne Shkodër? Reagon ministri i Jashtëm Hoxha

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ka reaguar në lidhje me lajmet se Serbia ka kërkuar të hapë një konsullatë në Shkodër. Hoxha tha se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.

“Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse. Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare. Ai nuk nënkupton domosdoshmërish barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet”, tha Hoxha.

“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime”, shtoi ai.

Sipas ministrit, është e çuditshme që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë interesin e Shqipërisë për konsullatë në Luginën e Preshevës. “Në vend që vëmendja të përqendrohet te mbështetja që kjo përfaqësi do t’u ofrojë shqiptarëve që jetojnë atje, te forcimi i lidhjeve të tyre me Shqipërinë dhe te mbështetja më e mirë e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime, debati zhvendoset tek hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër. Politika jonë e jashtme nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane. Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme”, tha Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos