Drafti për ndarjen e re territoriale, PS: Konsolidimi nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti

Nga A2 CNN
30 Korrik 2026, 15:19 | Politikë

Drafti për ndarjen e re territoriale, PS: Konsolidimi nuk sjell

Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit të draftit të saj për ndarjen e re administrativo-territoriale, sipas së cilës vendit i hiqen 15 bashki.

“Një sqarim dhe informacion shtesë në lidhje me lajmet që po qarkullojnë nëpër media sa i takon procesit të Reformës Administrativo – Territoriale. Konsolidimi territorial nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti. Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato përfshihen në një strukturë të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore”, thuhet në reagim, transmeton A2 CNN.

“Çdo qendër e prekur nga ky proces do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe një rol të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit. Ky proces synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë”.

Sipas projektligjit, propozohet reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46. Drafti parashikon gjithashtu një strukturë të re me 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Në dokument bëhet një ndarje mes bashkive dhe qyteteve, duke i trajtuar ato si kategori të veçanta.

Ndryshimet nuk prekin ndarjen në qarqe, duke shmangur kështu nevojën për ndërhyrje në Kushtetutë. Reforma parashikon krijimin e 13 bashkive të reja përmes bashkimit të bashkive ekzistuese. Në veri, Puka do të bashkohet me Fushë-Arrëzin, ndërsa Klosi me Matin.

Në Shqipërinë e Mesme dhe Jugut, Rrogozhina do të bashkohet me Kavajën, ndërsa Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë Berat. Patosi do të shkrihet me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Maliqi me Korçën, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, ndërsa Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin. Gjithashtu, Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos