Gjatë seancës për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliaj për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës nga Këshilli Bashkiak, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Olta Zaçaj, pyeti avokatët se pse nuk ishin ata të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, derisa Veliaj e kishte të pamundur të ishte prezent.
Avokati i Erion Veliajt u shpreh se ky ishte një proces politik dhe jo ligjor dhe për këtë arsye nuk ishin të pranishëm.
Olta Zaçaj: Ju thatë se keni marrë njoftim për mbledhjen e këshillit bashkiak. E kontestoni këshillin për mënyrën e mbledhjes e të tjera. Në momentin që erdhët në dijeni që do të kishte një mbledhje. A tentuat ju që të kërkoni leje për të marrë pjesë në këtë mbledhje?
Avokati: Nga ana jonë është bërë kërkesë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve edhe në Prokurorinë e Posaçme për një leje të veçantë për kryetarin e bashkisë. Ndërkohë leja na u refuzua me arsyetimin. Për këtë arsye ne i jemi drejtuar Këshillit Bashkiak që ta bënte ai këtë kërkesë.
Olta Zaçaj: Por çfarë ju pengoi ju si avokat për të qenë prezent dhe të parashtronit të gjithë elementët që i thatë këtu.
Avokati: Në mendimin tim, kjo nuk do të ishte një mbrojtje reale e mandatit kushtetues të zotit Veliaj sepse ai duhet të ishte vet. Nëse do të kishte shkuar një nga përfaqësuesit ligjorë do të kishte qenë një proces sa për sy e faqe. Që në fillim të këtij procesi... Ky proces është pothuajse politik. Nga vendimi i këshillit bashkiak nuk kemi pasur proces ligjor, ishte vendim tërësish politik. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   