Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim në podkastin ‘Flasim’ me personazhe dhe njerëz të ndryshëm.
Njëri prej bashkëbiseduesve ishte edhe kandidati i ri i PS në listën e Beratit, Julian Zyla, i cili foli për momentin që iu bashkua politikës.
Kur kujtoi në një moment babain e tij të cilin nuk e ka më, ai nuk arriti t’i mbante dot lotët, teksa ndodhej përballë shefit të ekzekutivit, shkruan A2 CNN.
“Më parë kam studiuar politikë në Romë. Kam studiuar dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Romë. Doja të tregoja një nga momentet më të rëndësishme të jetës time. Ka qenë në fund janari të 2010-ës, kur përfundoja studimet master. Ishte dita kur do prezantoja temën e diplomës.
Dola mirë dhe arrita synimin. Kryetari i komisionit na tha aty: ‘Nderoni veten tuaj’. Aty ishte babi dhe shoku im ia përktheu. Ndjesë, kam tre vite që nuk e kam më”, u shpreh Zyla, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)