Ndryshimet në Kodin Zgjedhorë hynë në fuqi menjëherë dhe Ilirjan Celibashi doli të njoftonte publikisht partitë se kur fillon regjistrimi në zgjedhje.
Afati i parë është 25 shkurti që lidhet me regjistrimin e subjekteve garuese, ndërsa koalicionet në 2 mars. Ndërsa në 12 mars skadon afati i regjistrimit të kandidatëve në zgjedhje që i hap rrugë edhe printimit të fletës së votimit, shkruan A2 CNN.
Konsensusi në votimin parlamentar nuk u reflektua në diskutime gjatë seancës plenare, ku demokratët dhe socialistët, për të shmangur retorikën bllokuese thanë se KQZ mund të adresojë edhe çështjen e votimit të shqiptarëve me dokumente identifikimi të huaja, kërkesë që në publik Berisha e kishte artikuluar si kushtin e panegociueshëm.
Ndryshimet në Kod nuk ishin vetëm të natyrës teknike por edhe politike, ku bashkimi i votave solli edhe shumëfishimin e limitit të fondeve që mund të shpenzojnë partitë politike në Zgjedhje. Për këtë pjesë të marrëveshjes PS-PD, Celibashi kujdeset të nënvizojë se konsensusi nuk ishte arritur në tryezën negociuese të KQZ-së.
Pas informimit publik në konferencë për shtyp, Celibashi kaloi në ekzekutimin e vendimeve si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve ku në tryezë kishte ankimin e PD-së që kërkonte ndëshkimin e socialistëve për takimet e zhvilluara në diasporë. Por ky pretendim nuk e bindi, nën argumentin se socialistët takimet i kishin bërë si përfaqësues politike, e jo me kostumin e zyrtarit shtetëror. (A2 Televizion)