Petro Gjikuria, i koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" tregoi planet e tij për Himarën në takimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit.
Teksa bëri të ditur se do të vazhdojë nën hapat e Alfred Belerit, ai premtoi se do ti japë zgjidhje problematikave të pronave, stimulojë zhvillimin e biznesit por dhe kryejë më shumë investime në komunitet.
“Qeverisje me përkushtim dhe ndershmëri. Qeverisje për komunitetin dhe në bashkëpunim me komunitetin dhe këdo faktor politik, social dhe ekonomik për interesin e Himarës dhe banorëve të saj. Himara ka nevojë për plazhe publike, plazhe publike falas. Fokusi im do të jetë stimulimi dhe zhvillimi i biznesit të vogël. Dhënia e lejeve të ndërtimit sipas ligjit për çdo himarjot. Lehtësimi i procedurave burokratike në bashki dhe asistencë ligjore për banorët e Himarës. Bashkia që unë do të drejtoj do të jetë pro pronarëve të ligjshëm. Prona e himarjotëve nuk do të regjistrohet me fushata elektorale, duke mashtruar me copa letre pa vlerës, si ato që mori babai im nga burgu, me vendim nul e sajesa ekstraligjore. Po kandidoj për të vijuar dhe zbatuar atë program që Fredi nuk arriti ta zbatojë për shkak të burgosjes së padrejtë.”
Në fund një koment e pati edhe për debatin e krijuar mbi “ndalimin” e greqishtes në Himarës, duke thënë se “pas 4 gushtit në bashkinë e Himarës nuk do të imponojmë askënd se çfarë gjuhe të flasë: greqisht, shqip apo anglisht.” (A2 Televizion)