Rama mbyll fushatën: Himarjotët si baskët, PS nuk vjedh vota por punon si parti

Nga A2 CNN
2 Gusht 2024, 16:18 | Politikë

E premtja shënon dhe ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e së dielës në Himarë. Ai u premtoi himarjotëve se shumë shpejt do të zgjidhet çështja e pronave. “Në Kadastër ka filluar digjitalizimi për Himarën. Pra besoj që pas tetorit do të fillojmë pak nga pak edhe procesin tjetër edhe gjithçka do të shkojë në vendin e duhur”, tha Rama.

Në krah të kandidatit socialist Vangjel Tavo, kryeministri Edi Rama i krahasoi himarjotët me baskët në Spanjë. “Po diskutonim gjithë historinë, çfarë janë himarjotët dhe si i kanë pasur marrëdhëniet qoftë me Tiranën, qoftë me Athinën. Dhe në fund fare konkluzioni është po ai, janë himarjotë, janë si korsikanët, janë si baskët, janë komplet gjë tjetër”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se partia që drejton nuk vjedh vota por lufton me të gjitha strukturat partiake për të arritur fitoren. “Kur del ai (Gjiknuri) thotë që do të bëhet tërmet, kur del ky tjetri këtu (Blendi Klosi) dhe thotë do bëhet breshër, kur dal unë dhe them shifra, këta kujtojnë se ne kemi ndarë lekët dhe kemi blerë votat. Kjo është një çmenduri. Ne ndërkohë kemi sistemin që e dimë paraprakisht rezultatin, për shkak të kontakteve dhe sondazheve”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos