“Nesër nxirrni qenin si ministër të Brendshëm, të lehë për 10 minuta”... Debate në Konferencën e Kryetarëve për Niko Peleshin

Nga Fjorela Beleshi
22 Shtator 2025, 11:35 | Politikë

“Nesër nxirrni qenin si ministër të Brendshëm, të

Debate mes socialistëve dhe demokratëve në Konferencën e Kryetarëve, ku po diskutohet kërkesa e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Nënkryetari nga radhët e PD, Agron Gjekmarkaj, e ka quajtur “atentator” Peleshin, për sjelljen e tij gjatë seancës së fundit ku u miratua pa debat programi qeverisës dhe kabineti “Rama 4”, shkruan A2 CNN.

“Jeni në revansh. Sot këtu mungon kryetari i grupit të PD-së. Në vend që të krijoni kushte, me urdhra politikë po tentoni të asgjësoni opozitën dhe Parlamentin. Ju, kryetar, u shfaqët si atentator”, citohet të ketë thënë Gjekmarkaj. “Po minimizoni çdo hapësirë të opozitës. Ju e përjashtuat opozitën nga procesi i integrimit dhe këtë e bëtë që në seancën e parë. Në seancën e dytë, ku nuk donit të shfaqnit qeverinë, provokuat opozitën. Ju, kryetar, e keni zhdukur parlamentarizmin. Opozita kërkon përsëritjen e seancës dhe ju duhet të mblidhni menjëherë Këshillin e Legjislacionit për mocionin e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet. Ju nesër mund të sillni qenin Rex dhe ta paraqitni si ministër të Brendshëm që të lehë për 10 minuta”.

Deri tani, Peleshi ende nuk ka folur. Në mbrojtje i ka dalë kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili mësohet të ketë thënë se kryetari është interpretues i Kuvendit, ndërsa kërkesa për shkarkim, sipas tij, është e pabazuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos