Pakënaqësinë me një pjesë të grupit parlamentar, Edi Rama e shprehu hapur në Kongresin e Partisë Socialiste, ku dhe kërkoi publikisht ndjesë për disa prej tyre.
“Një ndjesë të veçantë edhe për disa që iu është bërë vesë të bëjnë komentatorin e kolegëve dhe të qajnë halle karriere me dashakeqës lloj-lloj ndaj kësaj shtëpie apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjitë e disa pocaqi kanaleve dhe portaleve, duke hedhur gurin e duke fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon”, u shpreh Rama.
Mesazhi ishte i qartë se shumë prej deputetëve socialistë nuk do ta gjejnë më emrin në listat e kandidatëve. Për mandatin e katërt qeverisës që synon të marrë, Edi Rama pohon se i duhet një imazh i ri.
“Do iu duhen dijet, aftësitë, dëshira e të rinjve që do të afrojmë me doemos për sprovat e mëdha të mandatit të katërt. Me të rinj e të vjetër, unë nuk kam parasysh moshën në gjendje civile, por njerëz të rinj, figura të reja publike”.
Falë diasporës, kryesocialisti synon që 2025 të shtojë me 200 mijë vota rezultatin e arritur në zgjedhjet e kaluara.
“Ne jemi 800 mijë njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë, plus edhe ata që tani do të votojnë nga emigracioni, ne duhet të synojmë 1 milion”.
Në raport me drejtësinë, përsëriti se nuk mbron askënd. “Kush ka këtu në parti llogari për të dhënë për korrupsion, e ka adresën te SPAK-u. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e thërrasin në atë adresë për të dhënë shpjegime, të shkojë të japë shpjegime dhe të shikojë punën”.
Në disa raste, Rama zgjodhi të fliste me gjuhë më të koduar. “Që të na duash ne të keqen, duhet të na dalësh përpara. Kur të na dalësh përpara, duhet të llogarisë që je i mundur, i mundur”.
Thotë se nuk e shqetësojnë as denoncimet publike të ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, dikur bashkëpunëtor i tij i ngushtë me epitetin “Tigri” gjatë viteve në pushtet, i deklasuar në rangjet e faunës politike tashmë në arrati nga drejtësia.
“Me minj që dalin nga vrima si tigra sy shqyer nga presioni që i bën në stomak kaçkavalli i mykur apo me qime prapanicash, të më fal prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarët e qametit, nuk pi ujë me shqiptarë, zero!”
“PS 2030” ishte tema e kongresit, por Rama e bëri të qartë se nuk është kjo data e rotacionit politik. “Do të thoni ju po sa do të rrimë ne në pushtet, 50 vjet? Po pse të mos rrimë 100? Kush na e ndalon? Ja sheshi, ja mejdani ja dhe Muço Kapedani, thoshte profesor Ethem Ruka, që e përshëndes me mall”. (A2 Televizion)