Ngërçi me zarfet e Greqisë, Balla: 200 mijë votat e bashkatdhetarëve do të numërohen, PD alibi për humbjen

Nga A2 CNN
12 Maj 2025, 03:16 | Politikë

Ngërçi me zarfet e Greqisë, Balla: 200 mijë votat e

Drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka komentuar për A2 CNN nga Parku Olimpik në Tiranë, situatën e krijuar pas ultimatumit të Partisë Demokratike ndaj numëruesve të saj për të mos i hapur kutitë me votat e bashkatdhetarëve nga Greqia.

Teksa KQZ përkohësisht vendosi që numërimi të vijojë pa hapur zarfet e ardhura nga Greqia, Balla tha se PS nuk arrin të kuptoj se çfarë po kundërshtohet nga PD.

Sipas tij thirrja e Flamur Nokës për numëruesit që të ndalin hapjen e kutive me vota nga Greqia përbën shkelje të dënueshme të ligjeve zgjedhore dhe është hapi i parë i ndërtimit të një alibie për humbjen nga selia blu.

“E para duhet të kuptojmë çfarë po kundërshtohet. Pra askush prej nesh nuk kupton se kush është arsyeja dhe cilat janë faktet mbi të cilat urdhri politik i PD, që vendosur në pozitë të vështirë paligjshmërie numëruesit, për të kundërshtuar marrjen në administrim të zarfeve që vijnë nga Greqia. Sepse e vërteta është mund të kundërshtosh fletët e votimit, por s’ka ndodhur ndonjëherë të kundërshtosh zarfet. Nuk u depozitua nga subjekti Partia Demokratike një kërkesë me shkrim. Sipas Kodit Zgjedhor numëruesi mund të kundërshtojë një fletë votimi ose një zarf. Pati një vendim të komisionerit dhe në këtë rast ky vendim mund të ankimohet nga KAS. Në këtë këndvështrim për ne nuk ka asnjë shqetësim. Të 200 mijë votat e bashkatdhetarëve do të numërohen, në mos sot, do të numërohen nesër. E rëndësishme është që alibinë e humbjes të PD të mos e kthejmë në bllokim të procesit të numërimit. Këtu gjenden 200 mijë vota, është një proces që do kërkojë kohë”, tha Balla për A2 CNN.

Në vijim, duke nënvizuar se ai misionin e tij e ka kryer me sukses, duke ia mundësuar votën emigrantëve shqiptarë, Balla tha në emër të PS se janë të kënaqur me pjesëmarrjen e Diasporës në votime.

“Pjesëmarrja ishte e mirë. Këtë e shoh dhe në këndvështrim të koeficientit të kthyeshmërisë. Nëse e krahasojmë me vendet e rajonit, konstatojmë se bashkatdhetarët në shumicë të madhe i kthyen zarfet me fletët e votimit. Unë e shoh si moment historik për demokracinë sepse u riparuar një borxh që ia kishim Diasporës. As një muaj nuk ishte në dispozicion të dërgimit dhe kthimit të zarfit, por procesi u mbyll me sukses. Pritshmëritë tona janë të larta, pasi shqiptarët e Diasporës janë gjykatësit më të pavarur të ndryshimit që ka pësuar Shqipëria gjithë këto vite. Jam shumë krenar që këtu po numërohen votat e 200 mijë shqiptarëve që votuan në Diasporë”, deklaroi Taulant Balla për A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos