“Nisma Shqipëria bëhet”, Shabani dhe Lapaj zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2025, 16:33 | Politikë

Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor, së bashku me Lidhjen për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë.

Me moton “Shqipëria mbi partinë” dhe emrin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, krerët e tre subjekteve premtuan një politikë të re për t’i dhënë fund tranzicionit. 

“Sot po bëhemi bashkë, sepse Shqipëria ka mbetur peng e një klase politike që ka 34 vite që sundon me të njëjtat premtime boshe”, shprehet Endri Shabani.

Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj pohoi se po negociohet edhe me parti të tjera, por shtoi se dera do të jetë e mbyllur për ata që i cilëson autorë të rrënimit të Shqipërisë këto tre dekada.

“Ne nuk do të bashkëpunojmë me asnjë subjekt që ka qenë pjesë e atyre që e kanë vjedhur Shqipërinë. Do të punojmë për të ndërtuar një alternativë të ndershme”, u shpreh Lapaj.

A2CNN i pyeti me kë janë të gatshëm të bashkojnë votat, nëse në 12 maj ky koalicion do të jetë vendimtar për krijimin e qeverisë së re. 

“Vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme, nuk bashkojmë votat as me PS dhe as me PD”. 

Krerët e koalicionit pohuan se do të garojnë të gjithë në listat e hapura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos