Partia Demokratike thotë se SPAK amnistoi Kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi, duke mos i përfshirë në dosjen e Inceneratorit të Tiranës që ka dërguar për gjykim.
“Një vendim i turpshëm që është kthyer në provë konkrete për kapjen e SPAK nga duart e mafies së inceneratorëve. Dje, ky institucion vendosi që të shpëtojë Erion Veliajn, Edi Ramën, Agaçin. Në veçanti për këtë njeri për të cilin janë bërë qindra denoncime, për Erion Veliajn dhe lidhjen e tij me aferën monstruoze të inceneratorëve”, tha koordinatori rajonal për Tiranën në PD, Klevis Balliu.
“Si ka mundësi që SPAK nuk e sheh firmën e Erion Veliajt? Ndërkohë që ky njeri ka firmosur, ka vënë firmën e tij, ka dhënë urdhrin e tij për vjedhjen monstruoze të qytetarëve të Tiranës. Dje SPAK u tha qytetarëve të Tiranës se do të vazhdoni të paguani 80 mijë euro në ditë për inceneratorin që nuk ekziston”.
Balliu e quajti SPAK mbrojtësin dhe avokatin më të madh të kësaj afere korruptive. “Nga pretendimi se do ishin heronjtë e fëmijëve tanë, tani SPAK është heroi i arkitektëve të korrupsionit, është heroi i Erion Veliajt, Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit”.
Inceneratori i Tiranës shkon në gjykatë, SPAK tregon si Klodian Zoto udhëhiqte procedurat
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundon hetimet paraprake për një prej procedimeve të inceneratorit të Tiranës, duke dërguar për gjykim 12 të pandehur për “shpërdorim detyre”.
Lista kryesohet nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka për të vijuar me zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, anëtarët e Komisionit të dhënies së koncesionit që përfshijnë edhe zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës, si dhe dy punonjës të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
SPAK ka gjetur shkelje ligji dhe vendime qeverie para dhe gjatë dhënies së koncesionit për Integrated Energy B.V SPV me vlerë investimi mbi 128 milion e 248 mijë euro.
Komisioni, ministri Koka dhe dy zyrtarët e lartë të ministrisë së Mjedisit: drejtoresha juridike Alba Thoma dhe i Sektorit të Prokurimeve Bledar Karoli, kanë propozuar dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës, shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV” në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Services” sh.p.k, që ka qene në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.
Po i njëjti grup të pandehurish kanë shkelur ligjin pasi, sipas SPAK, dokumentet standarde të koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, kur ato janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik.
Rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarde të Koncesionit. Dokumentet sipas SPAK janë hartuar nga punonjësit e Klodian Zotos dhe u janë dërguar dy zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, “ura lidhëse” me shoqërinë e Klodian Zotos.
Ministri Lefter Koka ka miratuar vazhdimin e procedurës për dhënien e koncesionit, pa dokumentacion shoqërues të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.
Ligji për koncesionet është shkelur nga komisioni edhe për studimin e fizibilitetit, duke i marrë pa asnjë verifikim kostot e dërguara nga shoqëria propozuese, ku rezulton e rritur fiktivisht tarifa e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
Sipas SPAK nëse Komisioni i Dhënies së Koncesionit do të kishte përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, pjesa që do të mbulonte buxhet i shtetit do të ishte më e ulët.
Lidhur me rolin e punonjësve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, SPAK thotë se Jetmir Llapaj dhe Silena Tola kanë shkelur ligjin në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”.
Rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë. SPAK e mbyll njoftimin duke thënë se hetimet për inceneratorin e Tiranës vijojnë deri në daljen e përgjegjësisë së çdo personi dhe institucioni që ka pasur rol në përfitimin dhe zbatimin e kontratës për inceneratorin e Tiranës, i sekuestruar afro një vit më parë. (A2 Televizion)