“Paraqisni programin e PD”, porositë e Berishës për kandidatët: Të gjithë në terren, jo në ekrane

Nga A2 CNN
1 Prill 2025, 23:36 | Politikë

“Ditë e bukur sot”. Me këto fjalë ngjiti shkallët e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pasditen e nisi me takimin me drejtuesit politikë dhe krerët e degëve të cilëve u kërkoi intesifikim të fushatës.

Porosia ishte e qartë: prezantimi i programit dhe kërkim vote për PD, e jo për emra të përvetshëm. 

“Të gjithë kandidatët kanë një detyrim madhor, një mision madhor, paraqitjen e projektit. Por, tani ne këtë program, këtë projekt duhet ta çojmë në çdo derë, në çdo biznes, në çdo fermë, jo më me ekrane, por direkt vetë”, tha Berisha, shkruan A2.

Numrin 1 në fletën e votimit e konsideron si fat dhe kërkon të mobilizojë të tijët të shtojnë punën në terren: “Në çdo interpretim, nga lashtësia gjer në ditët e sotme, njishi del supernumri, supernjeriu, superfenomeni. Numri i diellit, numri i bashkimit të jetës, të tjerat po ia lëmë letërsisë, mitologjisë”.

Frymëzuar nga Donald Turmp, kandidatëve u kërkoi takime deri në 12 orë në ditë, për të bindur dhe të pavendosurit: “Donald Trump pati si Levë Arkimedi në këtë fushatë, takimin me qytetarin. Takimin e përfaqësuesve të tij me qytetarin. Dhe ata konstatuan për herë të parë, një shifër që nuk është dhënë më përpara, mundësinë e ndryshimit të mendimit të një të tretës së atyre që takohen. Shifër shumë e lartë kjo që duhet vlerësuar në shkallë maksimale”.

Berisha tregoi se në 11 prill demokratët do të hapin zyrtarisht dhe fushatën elektorale, në zbatim të kodit logjor që lejon betejë elektorale 30 ditë para zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos