“Jam më i ëmbël se sa dukem”. A kopjoi programin e PD? Rama i përgjigjet Berishës: Qesharake

Nga Fjorela Beleshi
1 Prill 2025, 18:14 | Politikë

Edi Rama i mohon akuzat e Sali Berishës që PS ka kopjuar programin e PD. Sipas shefit të mazhorancës, platforma e tij është një projekt qeverisës dhe jo vetëm premtime elektorale.

“Kopjimi i programit është gjëja më qesharake në botë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik; a thua se bëhet fjalë ndonjë kod kasaforte,  të një kodi sekret, kodi i Da Vinçit; u kopjua kodi i Da Vinçit . O Zot, o Zot! ky kopjimi është shumë qesharak. Programet janë rrugëve dhe nuk e di sa programe ka rrugëve, mijëra, mijëra që mund t’i shohësh, t’i konsultosh, t’i adoptosh ti bësh çfarë të duash.”

Duke bërë krahasim me retorikën e Sali Berishës, Rama thotë që programi I tij nuk do të realizohet direkt pas ditës së zgjedhjeve siç pretendon PD por brenda një periudhë 4-vjeçare.

“Nuk themi që në 12 maj do të bëhet realitet minimumi jetik 200 euro, do të ndodhë brenda mandatit dhe flasim për pensionet, do ndodhë në Shqipërinë 2030. Rivlerësimi i pronave do të bëhet në 6 mujorin e dytë, po përgatiten hartat sepse po bëhet gjithë bilanci i shitblerjeve. Nuk do mungojë më infrastruktura hekurudhore dhe të gjitha projektet do të mbyllen në fillim të dekadës tjetër si hekurudha funksionale, në fillim të dekadës tjetër por ama të gjitha projektet do të fillojmë brenda kësaj dekade.”

Integrimi I Shqipërisë është kryefjalë e fushatës elektorale të Kryeministrit , duke  e vendosur vetën si I vetmi lider që mund ta çojë Shqipërinë në Bruksel si anëtare e familjes europiane.

“Këtu bëhet fjalë për individë që janë me probleme të hapura në drejtësi, probleme të hapura që s'dihet ku mbarojnë, nuk dihet si mbarojnë, nuk dihet a janë kaq apo ka më shumë. Tani, si mendoni ju që Bashkimi Europian këto nuk i merr në konsideratë? Apo Bashkimi Europian është një studio konsulence që paguhet me kushedi se sa dhe kush di se si paguhet me thënë të drejtën dhe vjen, dhe vjen nga Amerika këtu, se paguhet edhe bën një fushatë për një palë, edhe këtu mbyllet filmi. Po jo mor, se nuk mbyllen kështu filmat në Bashkimin Europian, janë ndryshe, as në Amerikë jo.”

Në këtë komunikim “Sy m’sy”, Kryeministri u mundua t’i tregojë shqiptarëve se pavarësisht se si duket ne ekran, ai është një njeri shumë më i mirë. Rastin e demonstroi me mënyrën se si e pi kafen me sheqer apo jo.

“Zero sheqer! Zero sheqer! Madje kur më thonë, a do sheqer, i them, jo se jam shumë i ëmbël vetë. E në fakt jam më i ëmbël sesa dukem në të vërtetë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos