“Nga Gjirokastra në Tropojë, socialistët, Edi Ramën e njohin si njeriun më të pabesë, që i hedh një nga një bashkëpunëtorët e tij dhe kjo është e vërtetë”. Kështu ka deklaruar Sali Berisha në takimin me drejtuesit politikë në qarqe dhe kryetarët e degëve të PD-së në Shqipëri. Sipas kreut demokrat, grupi i Xafajt është grupi armiqësor i listës së PS në Tiranë.
“Erion Veliaj e meritonte, ua them unë 100 përqind atë, nuk ka asnjë diskutim. E meritonte plotësisht, por të implikohet e gjithë kupola e partisë pasi ai ishte burgosur dhe arrestuar, të politizojë në këtë shkallë një akt të tillë, kjo është dëshmi, është tipar i ekstremit të majtë, i forcave politike të ekstremit të majtë ose i mafiozëve. Tani u arrestua, ishte në gjykim, ky merrej me statuset e tij. Absolutisht po. Ky i çonte Ulsiun, organizonin truk pas truku vetëm e vetëm se si ta shpërbënin totalisht në mënyrë që të mos denonconte. Por natyrisht socialistët këto i kanë kuptuar që ai listën që ka në Tiranë, i ka armiq. Grupi Xhafaj është grupi armiqësor. Po, haptas. Është grupi armiqësor. Se këta në këto koncepte ecin”.
Berisha theksoi se kjo situatë është në të gjitha qarqet, pasi sipas tij në garë është bota e krimit.
“Po kjo situatë është kudo, në të gjitha qarqet. Në garë është bota e krimit”.
Në këto kushte Berisha u kërkoi atyre që të ndërgjegjësojnë qytetarët për programin e PD-së.
"Ndaj dhe misioni ynë bëhet çdo ditë e më i rëndësishëm. Secili nga ne duhet ta ketë të qartë se fitorja buron nga ndërgjegjësimi i qytetarëve. Aftësia jonë për të ndërgjegjësuar qytetarët për programin që paraqesim para shqiptarëve është vendimtare. Dhe unë u them juve që ky është programi më i mirë që është hartuar ndonjëherë për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Fitorja kalon në fuqinë tonë organizative. Fuqinë organizative të fushatës, fuqinë organizative të ditës së votimit, të qendrës së votimit”.
Kreu demokrat akuzoi Ramën se kopjoi programin e PD-së dhe u bëri thirrje shqiptarëve që më 11 maj do votojnë origjinalin, jo kopjen.
“Në një suicid elektoral politik, mendoi të gjejë strehë të programi elektoral i PD, duke faktuar me këtë se ai ishte pa asnjë program vetë, së pari. Së dyti, duke hedhur poshtë ato që kishte deklaruar 3 ose 4 muaj më parë, se elementë të këtij programi janë humnerë dhe katastrofë. Së treti, indirekt dëshmoi se ky program qenka i realizueshëm. Natyrisht nuk ka shqiptar që nuk i shtron atij pyetjen: po na thuaj pak, 12 vite ku ishe? Kush të pengoi 12 vite të jetësoje elementë parësorë të paketës së dhembshurisë? Kush e pengoi? Askush përveç vetja e tij, hajnia e tij, vjedhja e tij. Kështu që shqiptarët, kësaj pyetje do i japin një përgjigje më 11 maj, përgjigja do votojnë origjinalin, jo mashtrimin, jo kopjen, jo falsifikimin”.
(A2 Televizion)