Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike në një takim me banorë të kryeqytetit.
"Shqipëria energjinë pa asnjë lloj humbjeje mund t’ia shesë qytetarëve me 7 lekë. Ne do e ulim në 7 lekë kilovatin. Ne do ta ulim për biznesin në 6 lekë energjinë. Nafta. Shumë mund të thonë, po ç’na duhet ne nafta. Ata që kanë vetura, por edhe ata që nuk kanë vetura paguajnë. Sepse ata paguajnë biletat e udhëtimit kudo që shkojnë me çmimin e naftës. Sepse ata paguajnë çmimin e të gjitha mallrave që blejnë, transportin, me çmim të lartë nafte. Nafta në Shqipëri shitet 40-50% më shtrenjtë se në Kosovë. Ndërkohë, nafta në Kosovë vjen nga Durrësi. Shkon nga Durrësi në Kosovë, atje shitet 40% më lirë. Pse? Ua them unë pse. Sepse taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde, merr 1.1 euro. Ndërsa, çdo njeri që blen 1 litër naftë, qeveria i ka grabitur 1.1 euro taksë. Jo, ne do t’i përgjysmojnë këto. Se kush e paguan këtë? Qytetarët e paguajnë. Se ai që e shet, ai nuk paguan gjë. Ai përkundrazi, shet dhe kaq. Kështu që ne, do i përgjysmojmë këto taksa dhe shqiptarët do blejnë naftën me ato çmime, plus minus 10% që e blejnë maqedonasit, kosovarët, malazezët, dhe absolutisht asnjë qindarkë më shumë. Do përpiqemi të lehtësojmë barrën mbi njerëzit", tha Berisha, shkruan A2.
"Përveç kësaj, ne do të financojmë së bashku me banka, vendosjen e panele diellore. Pse kjo? Janë ulur tani. Nëse do ju thoja para 6 vitesh, 8 vitesh, do ishte joreale se kushtonin shumë panelet fotovoltaike. Tani është plotësisht e mundur. Tani, nëse vendosim me bankat panelet fotovoltaike mbi çdo çati, gjithnjë sipas dëshirës, pas 3 vitesh ata që kanë panelin fotovoltaik marrin energjinë falas, nuk paguajnë më asnjë qindarkë. E kanë nga dielli, e kanë nga qielli, jo nga qeveria. Sepse kjo është e vërteta", shtoi Berisha. (A2 Televizion)