“Parlament privat është ky? Të të vijë turp!”. Bardhi përplaset sërish me Nikollën

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2023, 14:05 | Politikë

Deputetët e opozitës janë përplasur sërish me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe kolegët nga shumica socialiste, pas mbylljes së Konferencës së Kryetarëve.

“Pse nuk lejon deputetët? Parlament privat është ky? Po e trajton Kuvendin si vilën tënde që e ke blerë me paratë e korrupsionit”, i drejtohet Gazment Bardhi kryetares së Parlamentit, pa pasur mundësi t’i afrohet shumë për shkak të ndërhyrjes punonjësve të Gardës së Republikës.

Gjatë gjithë ditës, deputetët e opozitës kanë qenë protagonistë të episodeve të ngjashme, për shkak se nuk janë lejuar të marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisionin e Ekonomisë.

Edhe më parë ata u futën me dhunë në zyrën e Nikollës, për t’i kërkuar llogari për vendimmarrjen e Kuvendit. Të martën, 6 deputetë u përjashtuan pasi u konsideruan përgjegjës për skenat e dhunës në seancën e të hënës në Kuvend, ku mes shumë debatesh, deputeti Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht socialistin Vullnet Sinaj.

Për këtë veprim, Partia Socialiste e ka kallëzuar në SPAK deputetin demokrat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos