“Krimi i organizuar kontrollon jetën ekonomike dhe politike”, PD kërkesë për debat në Kuvend

Nga Anesti Barjamemaj
14 Nëntor 2025, 14:17 | Politikë

“Krimi i organizuar kontrollon jetën ekonomike dhe politike”,

Situata alarmante me krimin në vend ka bërë që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të kërkojë zhvillimin e një debati në Kuvend. Në kërkesë, Grupi Parlamentar i PD i referohet raporteve ndërkombëtare, përfshirë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili flet për pastrim të parave të krimit të organizuar në ndërtime dhe vepra publike.

“Në vitet e fundit, veçanërisht përgjatë vitit 2025, nga raporte të organizatave, institucioneve e mediave ndërkombëtare dhe shqiptare, Shqipëria është identifikuar si e ekspozuar ndaj krimit të organizuar, sidomos në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, me ndikime mbi ekonominë, median dhe proceset zgjedhore. Raporti INCSR 2025 i Departamentit të Shtetit¹ evidenton se korrupsioni, krimi i organizuar, boshllëqet në kuadrin ligjor dhe pengesat në komunikimin ndër-institucional e bëjnë Shqipërinë vulnerabël ndaj pastrimit të parave, ku kriminelët përdorin blerje pasurish të paluajtshme, projekte ndërtimi, asete virtuale dhe biznese të ndryshme për të pastruar paratë e pista. Sipas raportit, organizatat kriminale shqiptare bashkëpunojnë me organizata të ngjashme në Europë dhe Amerikën e Jugut, dhe trafikimi i narkotikëve dhe krimi i organizuar janë një burim kryesor i flukseve të pastruara të parave. Po aty theksohet se ligjërimi i basteve online (mars 2024) “ngre shqetësime se mbikëqyrja e dobët mund të lejojë depërtimin e krimit të organizuar”, thuhet në kërkesën e PD.

“Sipas po këtij raporti të Departamentit të Shtetit, pjesa më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri lidhet me trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore, mashtrimet me kontrata qeveritare, evazionin fiskal dhe korrupsionin ekonomik. Ekonomia e gjeneruar e bazuar kryesisht në para cash, me një nivel të lartë të informalitetit që llogaritet në 30% të PBB-së, dhe kontrolli i dobët kufitar dhe zbatimi të dobët të doganave lehtëson hyrjen e mallrave kriminale. Krimi i organizuar përdor gjithashtu sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e pista dhe rrezikon integritetin e tregut. Aty theksohet gjithashtu se Shqipëria mbetet një vend tërheqës përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të mëdha infrastrukturore, aseteve virtuale dhe zhvillimit të biznesit.

Në planin operativ, një tjetër raport ndërkombëtar ka prodhuar disa goditje ndaj rrjeteve kriminale të pastrimit të parave. Gjatë vitit 2023, Europol² raportoi një aksion të përbashkët Itali-Shqipëri kundër pastrimit të parave të lidhura me trafikimin e drogës, ku u arrestuan 22 persona, u sekuestruan miliona euro në asete, automjete dhe pasuri të tjera dhe u identifikua një rrjet i gjerë transferimesh të strukturuara nëpërmjet bizneseve të fasadës. Në nëntor 2024, sipas citimit të një raporti të një organizate tjetër europiane të specializuar, u përgënjeshtrua një tjetër rast i madh i pastrimit të parave në vend me 40 të arrestuar, si dhe u sekuestruan të ardhurat e regjistruara nga 47 vëllime të ndryshme të aseteve me një total që thuhej të ishte 74 milionë USD”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos