Tre seancat e fundit parlamentare të këtij sesioni nuk kanë parashikuar miratimin e paketës së dekomunistizimit. Nismat ligjore të cilat u shqyrtuan me akuza e debate politike gjatë stinës së verës, mbetën në sirtarët e komisioneve duke e ftohur interesin me afrimin e stinës së dimrit.
Projektligjet në fjalë krahas largimit të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit nga postet e larta shtetërore, kërkonin edhe ndalimin me ligj të simboleve të komunizmit, që nga fotografitë e ish-diktatorit, e deri tek kinematografia e kohës. Mirëpo, përgjumien legjislative të deputetëve kërkoi ta zgjonte Kisha Katolike Shqiptare e cila nëpërmjet një shkrese drejtuar titullarëve të vendit, kërkon krijimin e një ligji të posaçëm ku glorifikimi i komunizmi të konsiderohet krim.
“Konferenca Ipeshkvnore eShqipërisë e mbledhur në Asamble të përgjithshme kërkon nga institucionet drejtuese të vendit të miratohet një ligj i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit njësoj si vendet europiane që kanë dënuar dhe parashikojnë sanksione të rënda për krimin e apologjisë së nazizmit dhe të fashizmit”.
Shkresa e Klerit Katolik i është drejtuar Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeparlamentares Lindita Nikolla, ku kërkon ndër të tjera edhe rishkrimin e historisë duke nënvizuar se në libra shkollor nuk shkruhet e vërteta.
“Librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri. Burgjet dhe vendet e torturës të konsiderohen dhe ruhen si Muze. Aktet ligjore dhe nënligjore të përcaktojnë rregulla të qarta mbi dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartësimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste”.
Në letrën e tyre, Kisha katolike kërkon gjithashtu edhe që të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblime të përshtatshme. (A2 Televizion)