OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri.
“Kandidatët, në shumicën e rasteve, ishin në gjendje ta zhvillonin fushatën lirisht, por mundësitë e garimit nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak kohë para ditës së zgjedhjeve të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë”, thuhet në raport, përcjell A2 CNN.
“Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e marxhinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike”.
Disa nga gjetjet e raportit
* Zgjedhjet ishin konkurruese dhe të organizuara mirë, por u zhvilluan në një mjedis të thellë polarizimi politik dhe me mungesë të një fushe loje të barabartë midis partive.
* Administrata zgjedhore (KQZ dhe strukturat në nivele më të ulëta) e menaxhoi procesin në mënyrë përfshirëse dhe transparente, por u vu re ndikim politik në përbërjen e komisioneve dhe zëvendësime të shpeshta të anëtarëve në minutat e fundit.
* Votimi elektronik dhe votimi nga jashtë vendit (OCV) u zbatuan për herë të parë dhe u vlerësuan si të menaxhuar mirë, megjithëse kishte probleme organizative dhe mungesë informacioni për votuesit.
* Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve shtetërore dhe aktivitetet qeveritare gjatë fushatës, duke krijuar avantazh të padrejtë. U raportuan raste presioni ndaj administratës publike dhe votuesve.
* Fushata zgjedhore ishte konfrontuese, me gjuhë denigruese dhe përplasje personale mes liderëve. Ndërkohë, pjesëmarrja e grave ishte në nivele të ngjashme me më parë (36% e deputetëve të zgjedhur).
* Mjedisi mediatik u vlerësua si i kufizuar dhe jo i pavarur. Pronësia e përqendruar, vetëcensura e gazetarëve dhe dominimi i dy partive kryesore në hapësirat televizive kufizuan informimin e pavarur të qytetarëve. Përmbajtjet e prodhuara nga partitë shpesh transmetoheshin si lajme, në kundërshtim me ligjin.
* Dita e votimit ishte përgjithësisht e qetë dhe transparente, por pati shkelje procedurale, komprometim të fshehtësisë së votës dhe rastet e blerjes ose ndikimit të votës.
* Procesi i numërimit u zhvillua në mënyrë të rregullt në shumicën e rasteve, por pati vonesa dhe mospërputhje procedurale në disa qendra.
* Zgjidhja e ankesave zgjedhore ishte transparente, por ligji kufizon shumë të drejtën e ankimit, pasi vetëm partitë politike mund të kontestojnë rezultatet – jo kandidatët individualë.
* SPAK dhe koordinimi i tij me KQZ-në e Prokurorinë e Përgjithshme u vlerësuan si zhvillim pozitiv, megjithëse mbetet nevoja për ndjekje më efektive të rasteve të krimeve zgjedhore.
Rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR:
* Reformë e gjithanshme zgjedhore për të adresuar paqartësitë ligjore dhe për të përfshirë konsultim publik të gjerë.
* Depolitizim i administratës zgjedhore në nivelet e ulëta.
* Ndalim i qartë i përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale dhe sanksione të menjëhershme për shkelje.
* Rritje e transparencës së financimit të fushatës dhe përcaktim i qartë i shpenzimeve parazgjedhore.
* Edukim publik mbi votimin elektronik.
* Barazi në mbulimin mediatik për të gjitha partitë dhe etiketim i detyrueshëm i materialeve propagandistike si reklama politike. (A2 Televizion)