Alibeaj: Edi Rama nuk të vret siç ka ndodhur më parë

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 00:02 | Politikë

Enkelejd Alibeaj nga “Djathtas 1912”, i ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka bërë një analizë ndaj mënyrës si funksionon pushteti i kryeministrit Edi Rama dhe ndaj kulturës politike shqiptare.

“Një bande nuk i dilet përballë me një bandë tjetër,” tha Alibeaj, duke iu referuar aleancave të interesit që sipas tij kanë mbizotëruar politikën shqiptare që prej vitit 2013.

Ai theksoi se zgjidhja mund të vijë nga një model ndryshe, moral dhe politikisht i pastër. Sipas tij, shumica dërrmuese e shqiptarëve, përfshirë edhe socialistë, nuk e duan më Edi Ramën, megjithatë frika dhe apatia i kanë bërë njerëzit të heshtin. “Ky publik ynë ka treguar që ndaj dhunës ul kurrizin. Kështu vazhdoi 40 vite diktatura,” deklaroi ai.

Alibeaj shtoi se ndonëse Rama ka “gjakftohtësi dhe mjeshtëri në ushtrimin e pushtetit”, ai përdor mekanizma të butë për kontroll. “Të blen, nuk të rreh. Të gjen pikën e dobët, por nuk të vret. Ka ndodhur më përpara”, u shpreh ai në Off The Record me Andrea Dangllin.

Alibeaj theksoi se shqiptarët shiten dhe frikësohen sepse nuk shohin një alternativë të besueshme. “Nuk shohin një projekt, një fytyrë të re që nuk tradhton. Ndaj duhet një ofertë ndryshe, një model që të rikthejë besimin”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos