
PS dhe PD u rikthyen sërish në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por debatet e së shkuarës nuk ishin shuar. Ende pa nisur mbledhja, mollë sherri u bë rendi i ditës, i cili, sipas opozitës, ishte miratuar pa dakordësinë e saj.
Socialistët kishin parashikuar që të diskutohej për ligjin e partive dhe detyrat që rrjedhin pas miratimit të reformës territoriale, por demokratët kërkuan që diskutimi të përqendrohej vetëm te rekomandimet e OSBE-së, duke u ndalur te zgjidhjet për ndarjen e shtetit nga pushteti gjatë fushatës zgjedhore.
Damian Gjiknuri: “Sot në fuqi ka dispozita të qarta për kufizimin e rolit të administratës në zgjedhje. Ka kritika nga ODIHR-i në këtë drejtim, por ODIHR-i nuk përcakton si zgjidhen. Natyrshëm, këto mund të zgjidhen qoftë me Kodin Zgjedhor, qoftë me ndërhyrje me akte nënligjore nga qeveria”.
Oerd Bylykbashi: “Nuk mund t’ia varësh këmborët ujkut dhe ai t’i ruajë. Ajo që jemi përballur deri tani është një konsum total, i panevojshëm i kohës së komisionit me çështje që nuk janë as prioritare dhe as zgjidhin problemet e zgjedhjeve të 9 majit. Dëgjova kolegun që foli për ligjin e financimit të partive. Është çështja e fundit dhe jo prioritare e këtij komisioni”.
Gjiknuri kërkoi nga opozita që të paraqiste kërkesat e saj, por Bylykbashi deklaroi se ndryshimet e propozuara nga pakica do të dorëzohen vetëm kur komisioni të hyjë në rrugën e duhur të diskutimeve. Demokrati bëri të ditur se PD-ja ka gati një paketë ligjore për ndarjen e partisë nga shteti, si dhe do të kërkojë lista të hapura për këshillat bashkiakë dhe deputetët.
Oerd Bylykbashi: “Kjo çështje ka veton tonë tani. Axhenda është e padakordësuar, ka veton dhe diskutimi nuk mund të vijojë më tej”.
Damian Gjiknuri: “Njerëzit e kuptuan, ata që donin të bënin reformë, por siç duket prioriteti politik është diku tjetër. Faleminderit dhe ndjesë që nuk e zhvilluam siç duhet”.
Pas përdorimit të vetos nga opozita, komisioni ndërpreu punimet. Ndërkohë, Oerd Bylykbashi e përforcoi qëndrimin e PD-së edhe në një deklaratë për mediat. (A2 Televizion)