Sali Berisha doli të martën në një konferencë për mediat duke akuzuar Partinë Socialiste se ka fituar zgjedhjet e 11 majit, falë krimit.
“Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të maxhorancës kriminale. Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhje kryebanditi Blendi Xhabafti, mori vota 10 herë më shumë se kandidati i dytë në lista. Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet. Skena si Vora ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjera, Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera. Pra në çdo aspekt, këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste”, tha Berisha, raporton A2 CNN.
“Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në Parlamentin shqiptar sa në këtë Parlament. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Mund t’u them ju, se në Durrës, bandat punonin për deputetë të veçantë. Tjetër Balla, tjetër Dyrmishi... Dhe jo më pak në Elbasan, kjo skenë... Pra këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, serial killer, trafikantë, dhunues, përdhunues”. (A2 Televizion)