“21 janari 2011 ka qenë hera e fundit e FBI-së në Shqipëri. Partia Demokratike në atë kohë ra në grackë duke e kërkuar vetë dhe iu kthye në autogol pasi doli se një nga protestuesit e vrarë u qëllua me pistoletën e ish-komandantit të Gardës. Kjo ka qenë ekspertiza e FBI-së. PD-ja duhet të jetë e kujdesshme kur kërkon agjenci ligjzbatuese amerikane sepse edhe kësaj radhe mund të bëjë autogol”.
Kështu u shpreh gazetari Arbër Hitaj në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Sipas tij, Partia Demokratike duhet të ketë kujdes kur thërret FBI-në sepse “ka disa para që i ka çuar andej nga Amerika për Chris LaCivita që nuk dihet se si kanë shkuar”.
“Të kenë kujdes sepse FBI-ja mund të zbulojë edhe ato para që nuk i ka dalë ende kontrata”, deklaroi Hitaj.
Gazetari Basir Çollaku iu përgjigj se nuk është i nevojshëm kujdesi, pasi, sipas tij, “Partia Socialiste nuk ka pasur kujdes fare, i ka futur paratë në xhep dhe e ka korruptuar”.
“Madje, Prokurori Federal amerikan ka deklaruar në Senat se bëhej fjalë për cenim të sigurisë kombëtare amerikane”, deklaroi më tej Çollaku. (A2 Televizion)