PD kërkon sërish interpelancë me Ramën: Ka emëruar këshilltar, ish agjentin e shërbimeve sekrete rumune

Nga A2 CNN
26 Qershor 2024, 14:47 | Politikë

PD kërkon sërish interpelancë me Ramën: Ka emëruar

Partia Demokratike do të kërkojë sërish një interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Kësaj here, bëhet fjalë për një këshilltar pranë Kryeministrisë, që sipas demokratëve, ai ka qenë agjent i shërbimeve sekrete rumune.

Kërkesa u bë e ditur nga kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, në përfundim të mbledhjes që u zhvillua mesditën e sotme në selinë blu.

“Tjetër kërkesë interpelancë me Ramën lidhur me skandalin e emërimit të tij të një agjenti apo ish agjent të shërbimeve sekrete rumune, që rezulton lidhja mes klaneve të trafiqeve narkotikëve si këshilltar i jashtëm i kryeministrisë. Një agjent i huaj nuk mund të jetë i emëruar si këshilltar i jashtëm i kryeministrit. Ka qenë i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës mes Rumanisë Shqipërisë dhe Meksikës. Për çfarë e ka këshilluar ish agjenti Coltea kryeministrin Rama, si lehtësohet trafiku ndërkombëtar i kokainës”, tha Bardhi.

Ai foli edhe për interpelancën me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçi për skandalin tek onkologjiku. Për Bardhin, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skemë kriminale, duhet të marrim ndëshkimin maksimal.

“Skandali nuk është rast i veçuar, por një skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë në Shëndetësi. Ministri ka pasur në dorë raportet e KLSH, ku nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga opozita dhe gazetarë e ka pasur zero veprime nga MSH. Pasi vepron prokuroria nuk mund të veprosh me fjalinë kemi pushuar mjekët. Kërkesa për interpelancë, është dorëzuar sot. Secili nga ata që janë përfshirë në skemë, pasi ka dhe të tjerë, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos