Presidenca ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike ndaj Bajram Begajt, në bazë të të cilave kërkon edhe shkarkimin e tij.
Përmes një njoftimi për mediat, Presidenca bën me dije se është njohur me të gjitha pretendimet, por nuk i komenton ato për të ruajtur neutralitetin e funksionit të lartë kushtetutës, shkruan A2.
Në reagim, Begaj thekson se respekton të drejtën e Kuvendit për ta hetuar plotësisht çështjen, duke ofruar edhe gatishmërinë e tij për të sqaruar deputetët: “Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur”.
Në rreshta, deklarata e Presidencës lë të kuptohet se janë të gatshëm që të përballen me deputetët edhe nëse ngrihet një komision hetimor për Begajn: “Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut”.
Demokratët prej javësh kanë nisur sulmet ndaj Begajt, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën disa herë. (A2 Televizion)