Me duartrokitje dhe me lule blu u prit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar. Deputetët kishin menduar ta surprizonin duke me buqeta, por as kryedemokrati nuk erdhi duar bosh.
Lideri i Partisë Demokratike në këtë 81-vjetor të lindjes tregoi edhe një sekret. Nisja e mbledhjes nuk do të ishte e njëjtë me pjesën tjetër, por përmbajtja nuk ndryshoi. Pavarësisht se mbante në duar ëmbëlsirën e datëlindjes, nuk arriti që të ëmbëlsonte gjuhën dhe vazhdoi akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit.
“Altin Troplini rrahu gjoksin se ka sekuestruar apo konfiskuar 60 milionë euro. Çfarë ka sekuestruar ti mo? Po 60 milionë i ka familja Xhafaj që nuk i ke prekur asnjë qindarkë”.
Teksa listoi një sërë dosjesh që janë denoncuar në SPAK nga opozita, Berisha pohoi se Altin Dumani nuk i ka hetuar dhe as ka arrestuar zyrtarë të mazhornacës por vetëm eksponentë të opozitës.
“I pavarur ky. Ti je një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Je një bastard, një Aranit Çelë në llojin tënd”.
Jo vetëm ndaj Dumanit, por Berisha akuzoi edhe kreun e shtetit, Bajram Begaj, të cilin demokratët duan ta shkarkojnë. (A2 Televizion)