PD nxjerr emra, denoncon shkelje masive në procesin zgjedhor

Nga A2 CNN
9 Maj 2025, 15:46 | Politikë

PD nxjerr emra, denoncon shkelje masive në procesin zgjedhor

Partia Demokratike, përmes një deklarate për shtyp të drejtuar nga Albana Vokshi, kryetare e Task Forcës për Monitorimin e Zgjedhjeve PD-ASHM, ka ngritur akuza të rënda ndaj Partisë Socialiste për manipulime sistematike gjatë procesit zgjedhor. Vokshi deklaroi se janë dorëzuar mbi 200 denoncime zyrtare pranë KQZ-së dhe institucioneve ndërkombëtare si OSBE/ODIHR, si dhe mbi 30 kallëzime penale në SPAK.

Sipas PD-së, blerja e votës është përshkallëzuar ndjeshëm që prej marsit, veçanërisht në zonat rurale. Raportet e mbledhura përfshijnë dëshmi, foto dhe video që tregojnë shpërndarje parash, ushqimesh dhe premtime për punësim në këmbim të votës.

“Janë përdorur pagesa në para, ndihma ushqimore, koncentrat për blegtori, premtime për punësim informal në këmbim të votës. Ka video, dëshmi, foto dhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë dëshmuar se funksionarë dhe kandidatë të Partisë Socialiste po shpërndajnë para apo premtojnë përfitime financiare ose përfitime të tjera kundrejt votës”, tha Vokshi.

Një tjetër shqetësim i ngritur është riaktivizimi i rrjetit të patronazhistëve, të cilët, sipas PD-së, ushtrojnë presion mbi punonjës të administratës dhe qytetarë, madje edhe në institucione arsimore. Kjo përfshin edhe urdhra për pjesëmarrje të detyruar në mitingje, të dokumentuara me foto dhe video.

Partia Demokratike akuzon gjithashtu për keqpërdorim të fondeve publike, ku 13 milionë euro janë përdorur për projekte të cilësuara si "asfalt elektoral", pa standarde dhe me qëllim favorizimin elektoral të PS-së.

Një tjetër shqetësim i rëndë është përdorimi i shkollave dhe fëmijëve në aktivitetet partiake, në shkelje të ligjit për arsimin parauniversitar. Gjithashtu, janë denoncuar raste të manipulimit të votës së diasporës.

Denoncimet e PD

Në Durrës, në lagjen 3 është Roni Shqopa; në lagjen 10, Gëzim Kosovari; Gjergji Dauti, i cili është edhe ati i kryeinxhinierit të UKD-së, në lagjen 13, Durrës, Redi Tabaku. Pra, po lexoj emra të personave të përfshirë në krimin elektoral të Shqipërisë. Në lagjen 15, Feta Mataj; në lagjen 18, Erion Koçllari; në lagjen 19, dhe Evis Pengili, drejtor i Kadastrës; gjithashtu edhe Edmond Kumaraku, i përfshirë në blerje votash në Rimini, pra në diasporë. Ai është punonjës i ambasadës në Romë, për të cilin jemi informuar se është shkarkuar për korrupsion dhe ka krijuar edhe një shoqatë që e përdor për blerje votash në diasporë.

Në Shijak janë Saimir Tusha dhe Jul Balla. Në Shkallnur dhe Arapaj, Durrës: Artur Feta; në lagjen 18, Emilian Lako, Skjerdi Bello. Në Shijak, përsëri, Artans Sabri Nurka; në Ujësjellës Fermësukth, Blendi Shika; në Gojas, Muhamet Nica; në Borak, Vilson Aliaj, që është edhe shoferi i kryetarit të bashkisë. Në lagjen 8, Klajdi Senko dhe Hamdi Vath Llana. Një tjetër person në Arapaj të Durrësit është Indrit Gjoka, dhe në Rromanat e Durrësit, Flamur Gjuzi.

Sa i përket një bashkie tjetër në këtë qark, është bashkia Vorë, ku dua të theksoj faktin se po punohet në mënyrë intensive në bashkëpunim me elementë kriminalë me precedentë penalë. Është ministri Blendi Gonxhe, i cili ka reaktivizuar këta elementë kriminalë në bashkinë Vorë. Bëhet fjalë për persona të dënuar më parë për vepra penale si vrasje apo trafik droge. Ky grup, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Blerim Shera dhe shefin e komisariatit Elton Shahinaj, përdor edhe ambientet e bashkisë Vorë për të shpërndarë blerje monetare në këmbim të votave.

Gjithashtu, kanë krijuar dhe një rrjet tjetër për shitblerje votash, ku përmendim: Flore Zela, Arlin Papa – drejtor shërbimesh në bashkinë Vorë – i cili është përqendruar në gjashtë qendra të Vorës; Julian Kasa – inspektor i KMT; Ermal Dedej – në lagjen Pizzarë; Mont Sula – në Vërdull; Vladimir Disha – në Kuq e Pizzarë; Agron Mora.

Kemi referuar të dy rastet, pra të Durrësit dhe të Vorës, në SPAK, duke dhënë edhe detaje të tjera.

Sa i përket qarkut të Korçës, vihet re intensifikimi i shitblerjes së votave, kryesisht në Devoll, por edhe në bashki të tjera të Korçës. Jemi informuar se në hotel “Kleva” është Valent Nallbati, i cili e ka kthyer këtë hotel në bazë për shpërndarje parash për shitblerje votash. Po ashtu, edhe në Maliq apo në zona të tjera është zv.ministri Jaupllari, për të cilin janë bërë denoncime publike edhe nga kandidati i Partisë Demokratike, z. Edmond Spaho, por edhe nga portale të tjera, se shpërndan para në këmbim të votave.

Në qarkun Kukës, në bashkinë Kukës, në njësinë administrative Shishtavec, si dhe në Zapod, janë të përfshirë drejtues të drejtorive rajonale, të shkollave dhe njësive administrative që ushtrojnë presion mbi administratën shtetërore. Në Shishtavec janë Sami Mata – kryeinspektor i punës në Kukës, administratori i njësisë administrative, administratori i njësisë ekonomike dhe drejtori i shkollës së Shishtavecit. Po ashtu, në njësinë administrative të Topojanit: Agron Hoxha – drejtor i Tatimeve Kukës, administratori i njësisë dhe drejtori i shkollës. Në Zapod: Alpert Muja – drejtor i AKP rajonale, administratori i njësisë dhe drejtori i shkollës në Zapod.

Në Mamurras është bërë publik rasti që është referuar edhe në SPAK. Personat e përfshirë në shitblerjen e votës janë: Bashkim Lika – ish-kryeplak i Fushë-Mamurrasit, Afrim Memas, Alban Myftari, Klot Preçi – punonjës të bashkisë Mamurras, Sham Preci, Iris Menga – punonjëse në bashkinë Mamurras, Dor Menga, Fran Menga, Rigel Sleshi, Bernard Pali, Rudolf Toma – punonjës të bashkisë Mamurras, Simon Pernika dhe Artan Preci – kryetar i njësisë Milot. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos