Demokratët nuk do të votojnë strukturën e re të komisioneve parlamentare të propozuar nga Partia Socialiste.
“Absolutisht, nuk do votojmë strukturën e re të komisioneve parlamentare. Këtë ndryshim të strukturës parlamentare, ne nuk e votojmë. Jo, sepse është bërë një gjë e turpshme. Ndahet një komision në tre komisione për t’ia dhënë opozitës. Dhe, rriten shpenzimet për qytetarët, etj, etj me radhë”.
Vendimi u bë publik nga Sali Berisha në një konferencë për mediat, por PD nga ana tjetër do të marrë drejtimin e 4 komisioneve që janë lënë boshë nga shumica parlamentare. Pavarësisht se do të pranojnë drejtimin e komisioneve, Berisha pohoi se ende nuk ka gati emrat e drejtuesve.
“Ne natyrisht po i shohim kandidaturat tona dhe do përcaktojmë kandidaturat tona”.
Lideri i demokratëve u pyet edhe për ministrinë e re të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, Diellën, ku dekretin e Presidentin e ka konsideruar antikushtetues por nga ana tjetër pohoi se ende nuk kanë marrë një vendim nëse për këtë çështje do t’i drejtohen trupës kushtetuese.
“Nuk ekziston akoma një vendim nga ana jonë, por ajo që mund të them është se Diella Rama është anëtare e familjes Rama dhe se Diella do të thotë zhdukja e çdo lloj përgjegjësie për vjedhjen e parave publike”.
Pezull për opozitarët mbetet edhe emri i kandidatit për Bashkinë Tiranë.
“Nuk kemi filluar akoma diskutimet. Do fillojmë diskutimet, të shohim...” (A2 Televizion)