Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka akuzuar opozitën se po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe procesin e Reformës në Drejtësi përmes deklaratave në arenën ndërkombëtare, përfshirë Brukselin dhe kancelaritë europiane. Sipas saj, kjo qasje ndikon negativisht në perceptimin e vendit në rrugën drejt integrimit në BE.
E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Mila theksoi se retorika e opozitës ka një ndikim të caktuar, megjithëse procesi i integrimit, sipas saj, nuk është bllokuar sikurse pretendohet.
Deputetja socialiste ngriti shqetësimin se Partia Demokratike po vepron e motivuar politikisht, duke mos dëshiruar që integrimi europian të realizohet gjatë qeverisjes Rama.
“Ata po përpiqen shumë që të kapen pas një kauze politike, sepse nuk duan me asnjë lloj mënyre që 2030-ta të jetë viti kur Shqipëria shkon në BE. Nuk mund të them dhe nuk dua ta them që nuk e duan BE-në, por mendoj që nuk duan që kryeministri Rama dhe PS do ta bëjnë të mundur këtë ëndërr. Hedhin baltë mbi reformën në drejtësi. Kryesisht mbi procesin e reformës në drejtësi, mbi akuzat që ata i shfaqin pa kurrëfarë fakti dhe evidence, janë thjesht akuza politike, që BE nuk i konsideron, në raportet e tyre. Ata prapë mundohen duke zënë foltoret, duke çuar në veshët e vendeve anëtare, dhe patjetër që krijon dyshimet dhe pikëpyetjet e veta. Shqipëria ka edhe skeptikë. Mund të jenë edhe skeptikë historikë, me një gojëdhënë të opozitës dhe 'non gratës', mund të lindin dyshimet e veta dhe mund të marrin më shumë kohë për të vendosur për Shqipërinë. Kjo antireklamë është një shkak ngadalësimi”, u shpreh Mila. (A2 Televizion)