Peleshi mbijeton në Kuvend, pro shkarkimit edhe dy nga mazhoranca, por opozita humb betejën

Nga Ervin Koçi
30 Tetor 2025, 14:49 | Politikë

Besnikëria socialiste ndaj Niko Peleshit filloi të vihej në dyshim kur drejtuesja e seancës njoftoi numrin e votave kundër shkarkimit të tij. Ndonëse i dhanë besimin për të vijuar drejtimin e parlamentit, të paktën dy deputetë të mazhorancës nuk e duan në krye të Kuvendit.

Tabela e votimit tregoi se nga krahu i opozitës kishin votuar vetëm tetë deputetë: gjashtë nga PD, Tedi Blushi nga PL dhe Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë. Kjo tregon se të paktën dy vota pro shkarkimit të Peleshit vinin nga e majta, ose nga partia e Tom Doshit, ose nga socialistët — emra që do të mbeten anonimë për shkak të votimit të fshehtë. 

Përpara votimit, Niko Peleshi doli vetë në foltoren e Kuvendit për të mbrojtur pozitat e tij.

Demokratët, ndonëse kishin kërkuar shkarkimin, e dëgjuan me vëmendje, pasi në 12 minuta fjalim në sallë kumbonte vetëm zëri i Peleshit, shkruan A2 CNN.

Opozita ishte e vetëdijshme se betejën e kishte të humbur që në nisje dhe tentoi të prekte sedrën e Peleshit.

“Ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen! Do ikësh vërtet pa dinjitet, por do kesh çliruar Kuvendin nga drejtimi i një kryetari që kurrë nuk diti ose nuk deshi të ngrihej në lartësinë e detyrës që ajo karrige meriton”, tha Ivi Kaso.

Në finale, Peleshi u rikonfirmua si kryetar i Kuvendit, ndërsa ata që kërkuan shkarkimin e tij vijuan ta shihnin në krye të sallës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos