Për dosjen "Buka", nis gjyqi, Ahmetaj reagon nga arratia për paratë

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2025, 17:02 | Politikë

Për dosjen "Buka", nis gjyqi, Ahmetaj reagon nga arratia për

Gjykata e Posaçme çeli të hënën shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj, për akuzën e tij për “shpërdorim të detyrës” në dosjen “Buka sh.a”.

Ish-zv.kryeministri u përfaqësua në gjyq nga avokati, ndërsa gjykata relatoi një shkresë të Interpol, që saktësonte se Ahmetaj ndodhej në Zvicër, por asnjë adresë të saktë të vendqëndrimit të tij.

Në të njëjtën shkresë, Interpol Tirana shprehej se Ahmetaj ishte ne vendin në të cilin Ministria e Drejtësisë ka depozituar kërkesën e SPAK për ekstradim të Ahmetajt, por se nuk kishte dijeni mbi ecurinë e kësaj procedure.

Gjatë leximit të kërkesës për gjykim, prokurori Elvin Gokaj, i tha gjykatës së ish-zyrtari i lartë ka shkelur ligjin teksa ka firmosur procedurën e privatizimit të ish-ndërmarrjes shtetërore “Buka sh.a”, ndonëse ish-pronarët ishin në një proces gjyqësor.

Për të provuar akuzën, prokurori kërkoi pyetjen e 14 dëshmitarëve, mes të cilëve edhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Përfaqësuesi i SPAK, tha se në një dosje të veçuar po hetohet edhe transferat e një shumë të madhe parash drejt një vendi të BE, fakt që hasi në reagimin e avokatit të Ahmetajt, sipas të cilit, një proces i rregullt nuk zhvillohet mbi akte surprizë.

“Nëse ka prova të tjera prokurori, le t’i paraqesë”, tha avokati Henrik Ligori. Zhvillimet në seancë sollën edhe reagimin në rrjetet sociale të ish-zv.kryeministrit.

“⁠Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë”, tha Ahmetaj.

Për kërkesën për ekstradim, ish-zv.kryeministri tha se është bërë 2 vjet më parë dhe se regjimi, sipas tij, kërkon të krijojë zhurmë për të hequr vëmendjen nga megaskandalet dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos