
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së SPAK, sipas së cilës disa urdhër-thirrje të dërguara ndaj tij janë refuzuar në banesë, në selinë e PD-së dhe në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, Berisha i quajti pretendimet e Prokurorisë së Posaçme “mashtrime ordinerë” dhe “lojë të turpshme politike”.
Berisha mohoi kategorikisht se i është dorëzuar ndonjë njoftim sipas ligjit, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si SPAK pretendon se ka kryer njoftimin. Ai deklaroi se as banesa, as selia e PD-së dhe as strukturat e tij nuk kanë marrë një urdhër-thirrje të tillë, ndërsa thotë se “nëse e ka marrë Taulanti me pesë mbiemra, kjo vetëm sa provon lojën e turpshme të Altin Troplinit”, shkruan A2 CNN.
“Unë respektoj ligjin. Nuk merrem me trillime, manipulime apo propagandë banale. Institucionet nuk funksionojnë me mediat, por me njoftim zyrtar, ashtu siç e përcakton ligji,” u shpreh ai, duke kërkuar që SPAK të bëjë publik emrin e personit që pretendon se ka refuzuar marrjen e zarfeve.
Berisha i cilësoi veprimet e Prokurorisë së Posaçme “shkelje të detyrimeve institucionale” dhe akuzoi SPAK-un dhe drejtuesit e tij se po zhvillojnë “lojëra politike të pafytyra”.
Ai i bëri thirrje SPAK-ut të publikojë provat lidhur me dorëzimin e njoftimeve, për të provuar nëse, sipas tij, “kjo është një procedurë ligjore apo një farsë politike e orkestruar”. (A2 Televizion)
