Pa shumë surpriza, vendimi për Sali Berishën është shtyrë sërish. Ndonëse ishte parashikuar ora 15:00 e ditës së sotme që të kishte një vendim për ashpërsimin e masës së sigurisë në "arrest shtëpie" nën mbikëqyrje policie dhe "ndalim komunikimi" ndaj ish-kryeministrit, sërish gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur që të shtyjë seancën për të shtunën, datë 30 dhjetor në orën 12:00.
Shtyrja e vendimit është bërë me qëllim për t’i dhënë mundësi avokatëve mbrojtës, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi të depozitojnë kërkesën e tyre për përjashtimin e trupës gjykuese. Më herët, ditën e sotme, avokatët mbrojtës të Berishës kanë kërkuar disa akte shkresore, prova, mes të cilave vendimmarrjes së gjyqtares Irena Gjoka në seancat e kaluara, pasi pretendojnë se ajo ka shfaqur njëanshmëri në proces.
Kështu, Sali Berisha do të mësojë për fatin e tij me 30 dhjetor. Ai akuzohet për korrupsion pasiv sa i përket aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Këtë proces ai e ka konsideruar si një gjyq politik, i organizuar dhe dirigjuar nga Edi Rama, që bëhet me qëllim eliminimin e opozitës. (A2 Televizion)